Lidhje

Arti vuan pasojat e recesionit në Shtetet e Bashkuara


Ndërsa recesioni ekonomik në Amerikë thellohet, organizatat e artit të cilat varen nga donacionet private dhe ato të korporatave, po luftojnë për të mbijetuar. Aktivitetet artistike përbëjnë më shumë se 4% të vendeve të punës në bizneset e Shteteve të Bashkuara.

“Martesa e Figaros” luhet nga Kompania Teatrale Konstelacion në Uashington, D.C. Ashtu si shumë organizatata artistike në të gjithë Amerikën, edhe ky teatër po ndjen pasojat e recesionit.

Themeluesja dhe drejtoresha artistike Ellison Stokmen thotë se sivjet kompanisë së saj i është dashur të jetë më krijuese si në skenë edhe jashtë saj.

“Njerëzit nuk duan të paguajnë çmimin e plotë të biletës. Veçanërisht sivjet ata kërkojnë çmime më të lira. Ne ulëm me 50% biletat ditëve të enjte dhe kjo ka sjellë njëfarë interesimi”.

Në Amerikë ekzistojnë më shumë se 100 mijë organizata artistike jokomerciale si Teatri Konstelacion dhe ato punësojnë më shumë se 5.7 milionë vetë.

Këto organizata nxjerrin 50% të të ardhurave të tyre nga shitja e biletave, 40% nga donacione individuale dhe 10% nga korporata, fondacione dhe burime qeveritare.

Robert Linç është drejtor i grupit Amerikanët për Artet. Ai thotë se ky ka qënë një vit i vështirë për artin.

"Edhe organizata të tjera kombëtare si teatro, opera apo simfoni kanë probleme. Rreth 10% nga 100 mijë organizata artistike jokomerciale rrezikohen të falimentojnë”.

Zoti Linç thotë se 90 përqindëshi tjetër i organizatave mund të përballet me shkurtime buxhetore deri në 30%.

Edhe Teatri për fëmijë Imagination Stage, që ndodhet në provincat e Uashingtonit është njëra prej këtyre organizatave.

Vjet, revista INC e cilësoi këtë teatër si kompaninë e 49-të në grupin e 5000 kompanive me rritjen më të shpejtë në Amerikë.

Sivjet ky teatër përballet me 10% ulje fondesh. Drejtori Manaxhues Bret Kroford thotë se nuk do të jetë e lehtë të gjenden zgjidhje.

"U përpoqëm të gjenim zgjidhje, por vendosëm të mos i ulim pagat e punonjësve”.

Zonja Kroford kërkoi që çdo anëtar i stafit të propozonte tre ide për të kursyer 5000 dollarë. Propozimet ishin nga më të ndryshmet.

Por edhe në fushën e artit, çdo lloj plani, sado i mirë që të jetë, varet nga tregu.

Aktorët e Teatrit Konstelacion nuk e dinë nëse do të gjejnë dot punë në të ardhmen. Aktorja, Nana Ingvarson thotë se do të jetë e vështirë të parashikohet diçka e tillë pasi teatrot në Uashington i kanë përfunduar planet për shfaqjet deri në fund të verës. //ek

XS
SM
MD
LG