Lidhje

Europa Lindore goditet më rëndë nga kriza se Perëndimi


Analistët në Uashington thonë se vendet e Europës Lindore, duke përfshirë Rusinë, janë goditur më ashpër se vendet e Europës Perëndimore nga kriza globale e kreditit dhe rënia e ekonomisë.

Specialisti për Rusinë, Kliford Gadi, thorë se ekonomia ruse është goditur rëndë nga uljet e mëdha të çmimeve të naftës. Ai thotë se kjo ka shkaktuar jo vetëm pakësim të madh në të ardhurat e qeverisë por rënia e aktiviteteve ekonomike ka prekur miliona punëtorë. Zoti Gadi thotë se prodhimi rus i automobilëve në muajin janar ra 86 përqind në krahasim me të njëjtin muaj një vit më parë.

“Kjo është një goditje pas një suksesi global ose një flluske globale, gjatë së cilës pothuajse gjithkush përfitoi. Ndërsa tani, të gjithë po ndajnë humbjen.”

Eksperti Anders Aslund i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, thotë se kriza ka pasur një ndikim të ngjashëm në Ukrainë. Ai thotë se tërheqja e kapitaleve nga investitorët e huaj, që më parë ishin të shumta, ka pasur një ndikim shkatërrues. Aslund thotë se të dhënat ekonomike për muajin janar janë të zymta.

“Industria e çelikut dhe e minierave kanë shënuar gati 50 përqind rënie. Industria e ndërtimit ka pësuar rënie të ngjashme. Monedha e Ukrainës është zhvlerësuar rreth 50 përqind. Duket se vlera e saj është stabilizuar tani në një nivel më të ulët.”

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka organizuar mbështetje financiare për Ukrainën, Letoninë, Hungarinë dhe Serbinë, vende këto të rrezikuara pasi nuk kanë qenë në gjendje të paguajnë interesat e borxhit të jashtëm.

Shefi i Departamentit për Europën në Fondin Monetar, Marek Belka, thotë se shumë vende të Europës Lindore përjetuan ngritje të madhe të çmimeve të shtëpive, një flluskë e cila tani ka plasur. Ai thotë se bankat e Europës Perëndimore u ofruan në mënyrë të papërgjegjëshme kredi vendeve të Europës Lindore, duke rritur çmimet e shtëpive në shtetet baltike.

“Secili, duke përfshirë edhe bankat e huaja, luftonin për të kapur një pjesë të tregut, duke mos marrë parasysh rreziqet.”

Zoti Belka thotë se huatë e bankave për vendet e Europës Lindore u shtuan në masën 600 përqind gjatë fillimit të kësaj dekade dhe sot kanë një vlerë që i kalon 1 trilion dollarë.
Bankat suedeze, austriake dhe italiane janë veçanërisht të ekspozuara ndaj ekonomive lindore, të cilat gjenden në një pozitë të ngashme me vendet e Azisë Lindore gjatë krizës së kreditit 10 vjet më parë.

Tre analistët i bënë komentet gjatë një konference në Universitetin Xhorxh Uashington. //ii

XS
SM
MD
LG