Lidhje

Presidenti Obama mban sonte fjalim në Kongres, ekonomia tema kryesore


Presidenti Obama do të mbajë sonte një fjalim përpara të dyja dhomave të Kongresit dhe kjo do të jetë hera e parë që ai do t’u drejtohet amerikanëve lidhur me sfidat me të cilat përballet vendi. Pritet që fjalimi të përqendrohet kryesisht tek ekonomia.

Presidenti Obama do ta shfrytëzojë fjalimin për të parashtruar planet dhe përparësitë e tija. Ai dha një përshkrim të shkurtër të fjalimit dje, gjatë komenteve të bëra në samitin për çështjet ekonomike në Shtëpinë e Bardhë, ku ishin mbledhur ligjvënës dhe ekspertë për të diskutuar mbi mënyrat e uljes së deficitit buxhetor.

Presidenti Obama vuri në dukje se ai trashëgon një deficit prej 1.3 trilion dollarësh nga administrata Bush. Ai tha se synimi i tij është ta përgjysmojë këtë deficit brenda katër vjetësh.

"Ne nuk mundet dhe nuk duhet të lejojmë deficite të tillë pa fund. Ndryshe nga mendimi që mbizotëron në Uashington këto vitet e fundit, ne nuk mund të shpenzojmë si të duam dhe t’ja kalojmë pasojat buxhetit të ardhshëm, administratës së ardhshme ose brezit të ardhshëm."

Presidenti e shpall objektivin e tij për pakësimin e deficitit më pak se një javë pas nënshkrimit prej tij të ligjit për stimulimin ekonomik prej 787 miliard dollarësh, më i madhi i këtij lloji në historinë amerikane. Presidenti Obama theksoi se ky ligj përmban një shpenzim që bëhet vetëm një herë dhe që synon të zgjidhë një emergjencë ekonomike. Ai tha se synimi afatgjatë duhet të jetë shkurtimi i deficitit federal dhe balancimi i buxhetit.

"Nga pikpamja ime nuk ka ndonjë kontradiktë që ne të zbatojmë së pari paketën e stimulimit por që të përqendrohemi njëkohësisht edhe në zhvillimin afatmesëm dhe afatgjatë."

Samiti ekonomik mblodhi në një sallë aleatë dhe kundërshtarë të administratës Obama. Mes pjesmarrësve ishte Senatori Xhon Mekein, rivali republikan i zotit Obama në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar. Ishte gjithashtu anëtari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Erik Kantor, i cili luajti rol kryesor për t’i bashkuar republikanët që t’i kundërviheshin paketës së stimulit ekonomik. Ai tha se e mirëpriste rastin për dialog në Shtëpinë e Bardhë.

"Është një rast i madh për ne që të mblidhemi së bashku për të diskutuar disa nga këto çështje mjaft të mëdha," tha zoti Kantor.

Fjalimi që Presidenti Obama do të mbajë sonte do të jetë hapi i dytë në këtë proces. Megjithëse zoti Obama do të flasë përpara një sesioni të përbashkët të Kongresit, ky nuk do të jetë një fjalim për gjendjen e vendit, fjalimi i përvitshëm që mbajnë zakonisht presidentët amerikanë në këtë kohë të vitit.

Ky fjalim pritet të jetë më i ngushtë në gamën e çështjeve që do të trajtojë dhe do të prekë kryesisht ekonomnë si dhe problemet e sigurisë kombëtare por në një masë më të vogël. Zoti Obama do ta mbajë fjalimin e parë zyrtar për gjendjen e vendit në vitin 2010. //ii

XS
SM
MD
LG