Lidhje

FBI: Zonat fisnore në Pakistan, Afganistan, kërcenimi kryesor terrorist


Kreu i Byrosë Federale të Hetimeve, FBI-së tha dje se kërcënimi kryesor i terrorizmit global vjen nga zonat fisnore të Pakistanit dhe Afganistanit. Drejtori i FBI-së Robert Mueller tha se një kërcënim tjetër mund të vijë nga militantët e rekrutuar në tokën amerikane.

Drejtori i FBI-së thotë se sulmet terroriste në Bombei të Indisë nëntorin e kaluar kanë ngritur shqetësim rreth mundësisë së një sulmi të tillë diku gjetkë.

Militantët e armatosur me pushkë dhe granada sulmuan 10 ndërtesa, përfshi një stacion treni, një qendër hebraike dhe dy hotele luksoze. Gati 200 njerëz u vranë dhe më shumë se 300 të tjerë u plagosën.

"Ky lloj sulmi na kujton se terroristët me axhendë të madhe dhe me pak para mund të përdorin armë të zakonshme për të shtuar në maksimum ndikimin e tyre".

Zoti Mueller foli në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, një grup kërkimor me seli në Washington.

Ai tha se zonat fisnore në Afganistan dhe Pakistan përbëjnë kërcënimin më të madh të sulmeve terroriste.

Por zoti Mueller shtoi se ka shqetësim në rritje për njerëzit në mbarë botën që mbështesin Al-kaidën. Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të shqetësohen rreth kërcënimeve të tjera të mundshme, përfshi ato nga njerëz që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

"Duhet të përqëndrohemi gjithashtu në grupet jo shumë të njohura terroriste si dhe terroristët këtu në vend. Duhet të kemi parasysh ekstremistët nga vendet që nuk u kërkohet vizë për të ardhur në Shtetet e Bashkuara".

Drejtori i FBIsë tha se ka shqetësime rreth terroristëve që rekrutohen në tokën amerikane. Ai tha se një person nga Mineapolis ishte rekrutuar për akte terroriste. Mineapolis ka popullësinë më të madhe somaleze në Shtetet e Bashkuara. Somalia ka qënë e përfshirë në një konflikt civil për vite të tëra.

"Një burrë nga Mineapolis u bë i pari qytetar amerikan që kryen një sulm terrorist vetvrasës. Sulmi ndodhi tetorin e kaluar në Somalinë jugore dhe duket se ky individ u radikalizua në vendlindjen e tij në Minesota".

Zoti Mueller thotë se burra nga komunitete të tjera në Shtetet e Bashkuara janë rekrutuar për të luftuar në Afganistan, Irak dhe Jemen.

Ai tha se FBI-ja po përpiqet të parandalojë këtë prirje, duke shtuar kontaktet dhe duke kuptuar më mirë komunitetet myslimane në Shtetet e Bashkuara.//rd//

XS
SM
MD
LG