Lidhje

Politikat evropiane të imigracionit dhe integrimi në shoqëri



Politika e Bashkimit Evropian për imigracionin ka ndryshuar vitet e fundit duke inkurajuar punëtorët me aftësi të veçanta prej jashtë Evropës, por duke u përpjekur në të njëjtën kohë të zhdukë imigracionin e paligjshëm. Një nga sfidat për vendet që janë të gatshme të pranojnë punëtorë me aftësi të veçanta është integrimi i tyre në shoqëri, veçanërisht në periudha të vështira ekonomike, trazira sociale, dhe nën kërcënimin e një ksenofobie në rritje. Vendet e BE-së kanë mënyrat e tyre të veçanta për të mirëpritur imigrantët, por një organizatë në Belgjikë organizon klasa të “edukatës civile” për të sapoardhurit.

Kamal Dip është inxhinier mekanik me dy diploma nga vendi i tij India. Ai ka gjashtë muaj që jeton në Belgjikë.

Së bashku me shokët e tij të klasës, ai po mëson rreth burokracisë belge gjatë klasës së edukatës civile. Zoti Dip thotë se kjo mund ta ndihmojë atë të gjejë një punë për të cilën është i kualifikuar.

“Është shumë e lehtë nëse studion mirë. Ne kemi diploma në vendin tonë dhe nëse i transferon ato, puna nuk është e vështirë të gjendet për studentët. Të gjithë thonë që është e vështirë t’i bësh letrat për banim të përhershëm këtu, por përveç kësaj, ky është vend i mirë për të jetuar”, thotë Kamal.

Këto klasa të edukimit civil të ofruara nga grupi jofitimprurës BON me qendër në Bruksel zgjasin nga 60 deri në 80 orë, të pasuara nga klasa në gjuhën hollandeze.

Mësuesja Marina Volodina është ruse dhe ka jetuar në Belgjikë prej 9 vitesh. Ajo thotë se fakti që këto klasa nuk janë të detyrueshme tregon se studentët duan të mësojnë.

“Askush nuk i ka detyruar ata. Prandaj këu janë vetëm ata njerëz që duan të integrohen në shoqëri dhe që e kuptojnë çdo të thotë të jetosh në një vend të huaj. Dhe ata tregojnë vullnetin e tyre në këtë mënyrë.”

Studentët mësojnë se si funksionojnë ndihmat sociale dhe si të negociojnë rrogën.

Rozmaria nga Gana ka dy fëmijë dhe ndodhet në Belgjikë prej dy vitesh. Ajo thotë, se para se të merrte pjesë në këto klasa, ajo nuk e dinte se kujdesi shëndetsor në Belgjikë ishte pa para për të gjithë.

“Po mësojmë. Ata po na mësojnë si të gjejmë vende pune, dhe si të luftosh për të drejtat tuaja dhe informacione të tjera”, thotë Rosmaria.

Ata që e organizojnë këtë program thonë se suksesi i tij qëndron tek kombinimi i këshillimeve individuale me seancat në grup. Drejtori Erik De Jong thotë se për shumë kohë imigrantët e sapoardhur shiheshin si problem. Por kjo organizatë po lufton për ta ndryshuar këtë koncept.

“Ne kemi nevojë për imigrantë për të krijuar një shoqëri afatgjatë. Kjo ndodh kudo në botë. Ku ka ekonomi të gjerë, nevojiten edhe njerëz të tjerë për ta rikrijuar shoqërinë”, thotë zoti Jong.

Ndërkohë që një recesion i thellë po përfshin gjithë Evropën, imigrantët e sapoardhur thonë se sa më shpejt që të integrohen, aq më shpejt do të mund të ndërtojnë një jetë të re për veten e tyre.//rd//

XS
SM
MD
LG