Lidhje

Sekretarja Klinton diskuton rajonin me ministrin e jashtëm pakistanez Kureshi


Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton u takua dje me ministrin e jashtëm të Pakistanit, Shah Mehmud Kureshi ku u diskutuan mënyrat sesi të trajtohet dhuna ekstreme në zonat fisnore në kufi me Afganistanin.

Takimi ishte pjesë e një rishikimi të politikave që presidenti Obama po i bën konfliktit në Afganistan dhe trazirat që lidhen me të në Pakistan.

Duke folur shkurtimisht me gazetarët pas takimit, zonja Klinton premtoi një proçes rishikimi të hapur dhe në këshillim me qeveritë pakistaneze dhe afgane.

Zoti Kureshi përsëriti zotimin e Islamabadit për të luftuar ekstremizmin dhe shprehu vullnetin për të punuar me administratën amerikane.

Ndërkaq ministri i jashtëm afgan, Rangin Dadfar Spanta, i cili po kështu ndodhet në Uashington, do të zhvillojë ditën e enjte një takim trepalësh me ministrin pakistanez dhe Sekretaren Klinton.

Dje, ai u takua me kryediplomatin pakistanez Kureshi dhe e siguroi atë se Afganistani është i vendosur në luftën kundër ekstremizmit. //ek

XS
SM
MD
LG