Lidhje

Drejtori i zbulimit amerikan për kërcënimet globale



Drejtori i Zbulimit Kombëtar thotë se kriza ekonomike globale mund të çojë në paqëndrueshmëri politike në mbarë botën. Denis Bler i tha dje Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin se paqëndrueshmëria financiare mund të ndikojë sipas tij në prishjen e rendit dhe të qetësisë në vendet në zhvillim. Zoti Bler citoi gjithashtu shqetësimet amerikane rreth terrorizmit dhe përhapjes së materialeve bërthamore.


Kriza globale financiare mund të ndikojë më shumë sesa thjeshtë ekonomitë e disa vendeve.

Shefi i zbulimit amerikan, Denis Blair, u tha ligjvënësve se recesioni ka të ngjarë të shkaktojë paqëndrueshmëri politike.

“Analizat tona tregojnë se kriza ekonomike shton rrezikun e paqëndrueshmërisë së sistemeve në se kjo vazhdon për një apo dy vjet. Paqëndrueshmëria mund të dobësojë zbatimin e rendit në vendet në zhvillim, një aspekt ky delikat”.

Meksika është më e pambrojtur ndaj recesionit në Shtetet e Bashkuara, tha zoti Blair.

Ka patur gjithashtu demonstrata anti-qeveritare në Evropë dhe vende të ish bllokut sovjetik.

Por zoti Blair tha se recesioni global dhe çmimet e ulta të naftës mund të jenë pozitive për Uashingtonin. Venezuela dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të tendosura.

“Me çmimet e ulta të naftës, Venezuela do të përballet me kufizime financiare”.

Zoti Blair tha se presidenti i Iranit Mahmoud Ahmadinexhad mund ta ketë të vështirë të rizgjidhet në qershor.

Ai citoi një raport të fundit të agjencisë së zbulimit amerikan që e quan përhapjen e teknologjisë bërthamore një kërcënim madhor.

“Koha kur pak shtete kishin qasje ndaj teknologjive më të rrezikshme fatkeqësisht ka marrë fund. Shpesh ato qarkullojnë lehtë në ekonominë tonë të globalizuar, ashtu si edhe ekspertiza shkencore për të zhvilluar armët bërthamore”.

Zoti Blair përsëriti vlerësimin amerikan se aktivitetet bërthamore të Iranit nuk janë për qëllime paqësore, siç pretendon Teherani.

“Teherani të paktën po mban hapur mundësinë për të zhvilluar armë bërthamore”.

Në të njëjtin raport të përvitshëm zbulimit amerikan që jep vlerësimin e kërcënimeve thuhet se ngjarjet në Ballkan do të përbëjnë përsëri kërcënimin më të madhe të qëndrueshmërisë në Evropë për vitin 2009, megjithë zhvillimet pozitive të vitit të kaluar përfshi shpalljen paqësore të pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe ofertën e Natos për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë.

Sfidat kryesore ndaj qëndrueshmërisë do të vijnë nga statusi i pazgjidhur politik i pakicës serbe në Kosovë, veçanërisht në veri të Kosovës dhe tensionet ndër-etnike të vazhdueshme në Bosnje-Hercegovinë.

Lidhur me al-Kaidën, zoti Blair tha se përpjekjet kundër terrorizmit në Arabinë Saudite, Pakistan dhe Irak kanë qënë të suksesshme.

Por ai shtoi se organizata terroriste ka ende ndikim.

“Al Kaida vazhdon të jetë e rrezikshme. Yemeni po rishfaqet si një fushëbetejë xhihadiste. Kapaciteti i grupeve terroriste në Afrikën Lindore do të rritet vitin e ardhshëm".

Në Afganistan, tha ai, suksesi kundër militantëve varet nga marrja nën kontroll prej Pakistanit të zonave fisnore përgjatë kufirit të përbashkët. //rd//

XS
SM
MD
LG