Lidhje

Volker: Më tepër rregulla ndaj institucioneve  financiare

  • Beri Ud
  • Uashington

Ish-drejtori i Bankës Qendrore në SHBA, tani në pension, Pol Volker, i tha dje një Komisioni të Kongresit se për shmangien e krizave financiare nevojiten rregulla më të mëdha ndaj institucioneve financiare.



Zoti Volker i tha Komisionit të Kongresit për Ekonominë se tregjet nuk duhen lënë të pambrojtura, në mënyrë që një krizë tjetër ekonomike të kërcënojë ekonominë globale. Ai mbrojti idenë e rregullave të forta ndaj aktiviteteve me rrezikshmëri të lartë, që aktualisht nuk janë objekt i rregullave. Zoti Volker ka qenë Drejtor i Rezervës Federale, apo Bankës Qendore të SHBA-së nga vitet 1979 deri në 1987 dhe aktualisht drejton Bordin e Presidentit Obama për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Zoti Volker nuk i përcaktoi se cilat duhet të jenë rregullat e reja të veçanta, por ai shtoi se është e nevojshme marrja e masave për sipas fjalëve të tij, “zbutjen e pasioneve primitive” që nganjëherë pushtojnë institucionet dhe investitorët individualë.

"Çfarë mjetesh mbrojtëse mundet të përdorim ne për sistemin, kur këto pasione të pakontrolluara bëhen të rrezikshme për të ardhmen? Mendoj se ne duhet të krijojmë mjete mbrojtëse. Kjo është koha kur duhet ta bëjmë realisht një gjë të tillë, pikërisht tani kur kujtimi i krizës është ende i freskët,"- tha ai.

Zoti Volker tha se konsumatorët po përjetojnë një peridhë të tmerrshme, kur vlera e parurive të patundshme dhe të ardhurat e tyre në përgjithësi po pakësohen. Ai tha se kriza aktuale është unike, sepse ndikimi i saj po ndjehet tek të gjitha ekonomitë kryesore të botës.

"Problemi nuk është vetëm në SHBA, por në të gjithë botën. Prodhimi po shënon rënie edhe jashtë SHBA-së, madje në një nivel të lartë. Prodhimi po shënon rënie më të shpejtë se kurdoherë tjetër,"- tha ai.

Zoti Volker ka lindur dy vjet para krizës së tregjeve financiare të vitit 1929. Ai i tha Komisionit se kapërcimi i krizës financiare do t’i kushtojë qeverisë më tepër para se sa 750 miliardë dollarët dollarët e caktuara për t’u ardhur në ndihmë bankave me bazë në SHBA.

Zoti Volker ishte i të njëjtit mendim me Drejtorin aktual të Bankës Qendrore Ben Bernanke, se një sistem bankar i shëndetshëm dhe me rregulla është jetik për rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Ai tha se sistemi global mbetet në gjendje krize dhe ende i pastabilizuar.

Kriza globale e ekonomisë filloi në gusht të vitit 2007-ës, me krizën e kredive, të shkaktuar nga pamundësia e njerëzve për të shlyer pagesën mujore të shtëpive të tyre, të ofruar nga bankat në formën e të ashtuquajturave kredi të këqia.//lk


XS
SM
MD
LG