Lidhje

Ekonomia amerikane tkurret më tepër se parashikohej


Ekonomia amerikane ra në tre muajt e fundit të vitit 2008 me ritme më të shpejta se parashikimet duke arritur nivelet më të ulta që nga viti 1982.

Njoftimi i sotëm i Departamentit të Tregëtisë thotë se prodhimi i përgjithshëm i brendshëm u tkurr me ritmin 6 presje 2 përqind gjatë tremujorit të katërt.

Ekspertët kishin llogaritur një rënie vjetore 3,8 përqind për shkak të rënies së eksporteve dhe të shpenzimeve të konsumatorëve.

Këto të dhëna pesimiste po bëjnë që konsumatorët të humbasin më tej besimin.
Një sondazh i kryer nga agjencia e lajmeve Rojter dhe Universiteti i Miçiganit tregon se besimi i konsumatorëve në Shtetet e Bashkuara arriti në muajin shkurt nivelin më të ulët në tri muajt e fundit.

Qeveria dhe Citigroup arrijnë marrëveshje

Zyrtarët e qeverisë amerikane dhe kompania Citigroup ranë dakord për një marrëveshje për të shpëtuar për të tretën herë gjigandin bankar.

Citigroup thotë se marrëveshja do t’i japë qeverisë gati 36 përqind të aksioneve të institucionit financiar në vështirësi. Banka ra dakord gjithashtu të bëjë ndryshime në bordin e drejtorëve.

Citigroup është goditur më rëndë nga kriza financiare dhe ka marrë 45 miliardë dollarë nga qeveria që nga viti i kaluar, kur vlera e aksioneve të kompanisë ra 60 përqind.

Aksionet e Citigroup-it ranë përsëri sot. Disa investitorë janë të shqetësuar se ndonëse marrëveshja mund ta ndihmojë bankën të mbijetojë, ajo do të humbasë megjithatë një shumë të konsiderueshme parash.

Po sot, Citigroup-i njoftoi se i kishte nënvleftësuar humbjet e tij të tri muajve të fundit të vitit 2008 në masën 10 miliardë dollarë. //ii

XS
SM
MD
LG