Lidhje

Presidenti Obama sot bën të njohur pakësimin e trupave në Irak

  • Kent Klein

Presidenti Barack Obama pritet sot të bëjë të njohur propozimin e tij për zvogëlimin e numrit të trupave amerikane në Irak. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Kent Klein nga Shtëpia e Bardhë, zoti Obama do ta mbajë fjalimin e tij në kampin Lejeune të bazës së marinës amerikane në Karolinen e Veriut.

Mijëra marinsa nga kampi Lejeune janë dërguar në Irak gjatë rrjedhës së luftës. Gati 500 marinsa janë kthyer në bazë nga Iraku javën e kaluar, dhe Presidenti Obama thotë se ai planifikon për të sjellë në shtëpit e tyre edhe shumë marinsa të tjerë gjatë muajve të ardhshëm.

Tërheqja graduale e trupave amerikane nga Iraku ka qenë një nga premtimet e zotit Obama gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit të kaluar.

Gjatë 16 muajve, ne do të duhet të jemi në gjendje të zvogëlojmë numrin e trupave, të ndihmojmë familjet e ushtarëve dhe trupat tona, dhe të mbështesim përpjekjet tona në Afganistan në mënyrë që të mund ta kapim Osama bin Ladenin dhe ta shkatërrojmë al-Kaidën.

Gjatë ditës së tij të parë në zyre si president, Zoti Obama, takoi këshilltaret e tij të mbrojtjes dhe ata diskutuan rreth mënyrave për të zvogëluar numrin e trupave amerikane në Irak, duke siguruar që nevojat e sigurisë do të përmbushen.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, thotë se Presidenti u dha këshilltarëve të tij udhëzime të veçanta rreth kërkesave të tij.

“Presidenti kërkoi nga ekipi i sigurisë kombëtare që të përpilojnë një plan, për të cilin ata besojnë se do të mund të arrinte synimin për të tërhequr forcat tona luftarake nga Iraku në mënyrën më të përgjegjëshme.”

Ashtu sikurse shumë vendime të tjera qeveritare, edhe ky kishte nevojë për kompromis. Zoti Obama dëshironte t’i tërhiqte trupat gjatë një periudhe 16 mujore. Komandantët e lartë të ushtrisë kërkonin 23 muaj. Siç duket, të dy palët ranë dakord për 19 muaj. Gati 50,000 trupa do të mbeten në Irak, kryesisht për të ndihmuar me stërvitje dhe këshilla. Një gjë e tillë zemëroi disa ligjëvënës në Partinë Demokrate të Presidentit Obama, të cilët dëshirojnë tërheqjen e gjithë forcave amerikane nga Iraku.

Zoti Gibbs thotë se zoti Obama gjithmonë ka biseduar rreth nevojës për të lënë disa trupa në Irak.

“Presidenti po ashtu kishte përmendur gjatë fushatës, se disa trupa do të mbesin në Irak për misione të kufizuara që kanë të bëjnë me stërvitjen dhe luftën kundër terroristëve.”

Senatori republikan Xhon Mekejn ngriti një çeshtje tjetër. Si ish i burgosur lufte gjatë konfliktit të Vietnamit, ai nënvizoi se lufta kundër trupave amerikane në Vietnam filloi pikërisht në periudhën kur ata po shërbenin atje si këshillarë.

“Tërheqja do të zbatohet. Ne do të largohemi nga Iraku. Unë kam lexuar se atje do të qëndrojnë 50,000 trupa të cilët do të shërbejnë, në thonjëza, si këshilltarë. Por ne duhet të jemi realistë pasi këshilltarët, në çdo konflikt përballen me rreziqe.”

Zoti MeKejn është republikani më i lartë në Komisionin e Senatit për Forcat e Armatosura. Ai i humbi zgjedhjet ndaj rivalit të tij demokrat, zotit Obama në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.//ap.

XS
SM
MD
LG