Lidhje

Presidenti Obama paraqet projekt-buxhetin për vitin 2010


Presidenti Barak Obama i paraqiti Kongresit projekt-buxhetin e parë federal të enjten duke thënë se vendi ka përpara sfida të vështira. Propozimi përmban mbi 3.5 trilionë dollarë për programe që presidenti thotë se u përgjigjen nevojave më urgjente të vendit. Në projekt-buxhet përfshihen fonde shtesë për të ndihmuar sistemin financiar si dhe një plan ambicioz për të reformuar sistemin e kujdesit shëndetësor.

Projekt-buxheti iu dha në dorë udhëheqësve të Kongresit të enjten.

Dokumenti me 134 faqe parashtron një plan shpenzimesh masive që do ta çojnë deficitin federal në 1.75 trilionë dollarë.

Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama e cilësoi planin si një pasqyrim të ndershëm të financave kombëtare.

“Për shumë kohë, buxheti ynë nuk ka reflektuar realitetin për mënyrën si duhen shpenzuar fonde të çmueshme nga taksat. Shumë të mëdha nuk janë dokumentuar në plan, përfshirë koston reale të luftës në Irak dhe Afganistan”.

Pasi trashëgoi një deficit, që zoti Obama thotë se kap shumën 1 trilion dollarë, Presidenti propozoi një plan ambicioz për të stabilizuar ekonominë amerikane. Përveç investimeve në burime të reja energjetike dhe arsim, plani parashikon edhe një reformim të sistemit shëndetësor me kosto 634 miliardë dollarë.

“Ky buxhet është vazhdimësi e përpjekjeve që kemi ndërmarrë gjatë muajit të fundit për të zgjeruar sigurimet shëndetësore për miliona fëmijë, për të kompiuterizuar kartelat mjekësore dhe për të reduktuar shpërdorimet dhe gabimet, që do të na ndihmojnë të kursejmë fonde por edhe të shpëtojmë jetë”.

Për të ndihmuar në mbulimin e kostos, zoti Obama ka në plan të grumbullojë miliarda dollarë duke vendosur kufi dhe një sistem shkëmbimi që përfshin taksimin e bizneseve për gazet e çliruara.

Po ashtu, presidenti ka në plan të rrisë taksat për amerikanët e pasur dhe të eliminojë subvencione të panevojshme për fermerët.

Megjithëse udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Xhon Bejner pohon se plani ka synime pozitive, ai thotë se niset nga premisa të gabuara.

“Të gjithë pohojnë se amerikanët duhet të gëzojnë sigurime shëndetësore me kosto të përballueshme, por rritja e taksave në një periudhë recesioni, veçanërisht për bizneset e vogla, nuk është mënyra e duhur për realizimin e synimit. Ky plan është shqetësues për ne.”

Buxheti parashikon një shtesë prej 250 miliardë dollarësh për të fuqizuar sistemin financiar, i cili ka marrë tashmë mbi 700 miliardë dollarë të tjera. Megjithë kritikat se ndihmat qeveritare mund të çojnë në një sistem bankar shtetëror, këshilltari i presidentit Pol Volker iu kundërvu këtyre cilësimeve në një seancë dëshmish dje në Kongres.

“Nuk do ta quaja sistem shtetëror, por ristrukturim kapitali.”

Megjithë rritjen e shpenzimeve, zoti Obama thotë se ka në plan ta reduktojë 50 përqind deficitin në fund të mandatit të parë. Hollësitë e plota të projekt-buxhetit pritet të bëhen të ditura në prill. (ze)

XS
SM
MD
LG