Lidhje

Obama: Tërheqje e plotë e trupave luftarake nga Iraku brenda 2010

  • Kent Klein

Presidenti Barak Obama thotë se Shtetet e Bashkuara do të tërheqin shumicën e trupave të tyre luftarake nga Iraku gjatë 18 muajve të ardhshme. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës nga Shtëpia e Bardhë, gati 1/3 e trupave do të qëndrojnë në Irak deri në vitin 2011 për të ndihmuar për sigurinë dhe stërvitjen e trupave irakiane.

Gati gjashtë vjet pas fillimit të luftës në Irak, Presidenti Obama ka caktuar një datë për t’i dhënë fund kësaj lufte.

“Më lejoni të them sa më thjesht që mundem: me 31 gusht, të vitit 2010, misioni ynë luftarak në Irak do të përfundojë.”

Presidenti i bëri këto komente në kampin Lejeune të bazës ushtarake amerikane në Karolinen e Veriut. Mijëra marinsa nga kjo bazë janë dërguar në Irak, ndërsa qindra marinsa të tjerë po bëhen gati për të shkuar në Afganistan.

Plani i tërheqjes së trupave gjatë një periudhe 18 mujore është më i ngadalshëm se plani 16 mujor që zoti Obama u kishte premtuar votuesve vitin e kaluar. Megjithatë, ky plan përsëri përshpejton largimin e Shteteve të Bashkuara nga Iraku.

Plani për largimin nga Iraku ishte rekomanduar nga Sekretari i mbrojtjes, Robert Gejts, dhe këshilltarë të tjerë të lartë të sigurisë.

Zoti Obama planifikon të tërheqë gati 2/3 e 142,000 trupave amerikane në Irak. Ai tha se trupat e tjera që do të mbesin në Irak do të stërvisin forcat irakiane të sigurisë, do të mbrojnë civilët dhe do të luftojnë terroristët.

“Pasi t’i tërheqim brigadat tona luftarake, misioni ynë do të ndryshojë, nga ai luftarak, në mbështetës për qeverinë irakiane dhe forcat e sigurisë deri sa ato të marrin nën udhëheqje të plotë sigurinë e vendit të tyre.”

Sipas marrëveshjes mes të dy vendeve, trupat e fundit amerikane do të largohen nga fundi i vitit 2011.

Zoti Obama tha se një pjesë tjetër e strategjisë së tij është që Shtetet e Bashkuara të punojnë me të gjitha vendet e Lindjes së Mesme, duke përfshirë edhe Iranin dhe Sirinë.

“Çdo vend dhe grup duhet të kuptojë, në se ju i dëshironi të mirën apo të keqen Amerikës, se fundi i luftës në Irak do të mundësojë një epokë të re të udhëheqjes amerikane dhe përfshirjes së saj në Lindjen e Mesme.”

Senatori republikan Xhon Mekejn, i cili kritikoi ashpër planin e zotit Obama për tërheqjën e trupave gjatë fushatës zgjedhore të vitit të fundit, tani thotë se është optimist me reserva se plani do të funksionojë.

“Rreziku më i madh do të jetë i pranishëm në prag të zgjedhjeve të dhjetorit dhe rrethanat mund të keqësohen para ose pas mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Duke mbajtur gjithmonë parasysh parasysh këta faktorë, unë besoj se vendimi i Presidentit për tërheqjen e trupave është i arsyeshëm.”

Në fjalimin e tij në Kampin Lejeune, Presidenti Obama po ashtu konfirmoi se zoti Kristofer Hill do të jetë ambasadori i ri amerikan në Irak. Gjatë administratës së presidentit Bush zoti Hill ishte negociatori kryesor me Korenë e Veriut.//ap.

XS
SM
MD
LG