Lidhje

Organizma ndërkombëtarë do të ndihmojnë Evropën Lindore


Organizma të njohur ndërkombëtarë për financat janë zotuar të japin mbi 31 miliardë dollarë ndihma emergjente për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që po vuajnë pasojat e mungesës së fondeve.

Zyrtarë të Bankës Botërore, Bankës Evropiane të Investimeve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim e njoftuan paketën e ndihmave sot në një deklaratë të përbashkët.

Njoftimi i tyre për nismën 2-vjeçare u bë pak para takimit emergjent të Bashkimit Evropian mbi këtë temë që do të mbahet të dielën në Bruksel.

Presidenti i Bankës Botërore Robert Zollick tha se përparimet ekonomike dhe politike të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në dekadat pas rrëzimit të komunizmit mund të zhduken nëse këto vende nuk marrin ndihmë nga fqinjët e tyre perëndimorë.

Në bazë të planit, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të japë deri në 7.5 miliardë dollarë për sektorin financiar të Evropës Qendrore dhe Lindore. Banka Evropiane për Investime do t’u japë institucioneve kreditore afro 14 miliardë dollarë. Banka Botërore do të japë mbi 9 miliardë dollarë ndihma. (ze)

XS
SM
MD
LG