Lidhje

Intervistë me Presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu


Sekretarja amerikane e shtetit Hillary Klinton tha dje se administrata Obama do të vazhdojë mbështetjen për pavarësinë e Kosovës. Ajo u takua me Presidentin e shtetit të Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Zonja Klinton nënvizoi vazhdimësinë e mbështetjes amerikane për Kosovën përmes tre administratave. Administrata Obama shprehu angazhimin e saj për të ndihmuar Kosovën të fitojë ndihma dhe njohje të tjera ndërkombëtare.

Dje zonja Klinton në një konferencë shtypi me dy udhëheqësit e Kosovës, tha se mbështetja për vendin e ri është dypartiake dhe se Shtetet e Bashkuara do t'i inkurajojnë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë. Sekretarja Klinton vlerësoi gjithashtu udhëheqjen e drejtuesve të Kosovës gjatë këtij viti.

Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi u takuan dje edhe me zëvendës presidentin amerikan Joe Biden, i cili si senator ka ndikuar aktivisht në politikën e administratës për Ballkanin. Në takimin me Presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, nënpresidenti Bajden ritheksoi me forcë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën e pavarur dhe u zotua të vazhdojë përpjekjet e Amerikës për të nxitur vende të tjera ta njohin shtetin e ri. Zoti Bajden vlerësoi lart edhe përpjekjet e qeverisë së Kosovës për një shoqëri shumetnike, duke respektuar të drejtat e pakicave.

XS
SM
MD
LG