Lidhje

SHBA: Krimi e përdor Shqipërinë si bazë për aktivitete gjetkë


Në një raport të Departamentit amerikan të Shtetit për luftën kundër drogës, thuhet se si vend tranzit trafikimi, Shqipëria mbetete rrezikuar për pastrimin e parave.

Në një raport të përvitshëm të Departamentit amerikan të Shtetit për luftën kundër lëndëve narkotike, thuhet se si vend tranzit për trafikimin e narkotikëve, të armëve dhe të qenieve njerëzore Shqipëria mbetet e rrezikuar për pastrimin e parave.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar, thuhet në raport, duket se janë burimi kryesor i pastrimit të parave por nuk dihet shkalla e saktë se sa ndihmojnë këto aktivitete të ndryshme në të ardhurat e përgjithshme nga krimi dhe nga pastrimi i parave.

Ky raport është analiza vjetore që Departamenti i Shtetit i bën përpjekjeve të qeverive të ndryshme për zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare në bazë të konventave për luftën kundër drogës.

Elementët kriminalë, thotë raporti në pjesën për Shqipërinë, shpesh investojnë para të pista në prona të patundëshme dhe në biznese. Për shkak të nivelit të lartë të importeve të konsumit dhe të kontrolleve të dobëta doganore, Shqipëria ka një treg të madh për një numër mallrash kontrabandë si cigaret, bizhuteritë dhe telefonat celularë.

Grupe të organizuara të krimit e përdorin Shqipërinë si bazë operacionesh për aktivitete kriminale në vende të tjera dhe shpesh i rikthejnë fitimet e paligjshme në Shqipëri, thotë raporti.

Për shkak se ekonomia e Shqipërisë, sidomos sektori privat, vazhdon të funksionojë në një masë të madhe me para në dorë, të ardhurat nga aktivitetet e paligjshme pastrohen lehtë në Shqipëri.

Autoritetet doganore shqiptare, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, njoftojnë se elementët e krimit të organizuar i pastrojnë të ardhurat e tyre të paligjshme duke futur dhe nxjerrë kontrabandë sasi parash përmes tregtisë ndërkombëtare dhe praktikave mashtruese në biznesin e import eksportit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, 23 përqind e parave në vend qarkullon jashtë sistemit bankar krahasuar me rreth 10 përqind që është kjo shifër në vendet e tjera evropianolindore në tranzicion.

Një pjesë e rëndësishme e parave që dërgojnë imigrantët në Shqipëri, thuhet në raport, vijnë përmes kanaleve jozyrtare. Vlerësohet se vetëm gjysma e këtyre dërgesave hyn në Shqipëri përmes bankave ose kompanive të trasnferimit të parave.

Qeveria e Shqipërisë, thotë raporti, është e angazhuar për të luftuar informalitetin në sektorin financiar.//mm//

XS
SM
MD
LG