Lidhje

Presidenti Obama i kërkon Kongresit të miratojë buxhetin e ri

  • Kent Klajn
  • Uashington

Presidenti Barak Obama po u bën thirrje ligjvënësve amerikanë të miratojnë buxhetin e tij federal masiv dhe ai thotë se do të luftojë për realizimin e reformave që ai përfshin.

Presidenti Obama pranon se nuk do të jetë diçka e lehtë ta bindë Kongresin të miratojë planin e tij të shpenzimeve prej 3,5 trilionë dollarësh për vitin fiskal 2010. Në fjalimin e tij të përjavshëm të transmetuar nga mediat, Presidenti tha se lobistët dhe grupe të interesave të veçanta i kundërshtojnë planet e tij për reformimin e shërbimit shëndetësor, industritë e sistemit bankar dhe të energjisë. Por ai tha se nuk do të tërhiqet.

"E di se këto masa nuk do t’u përshtaten interesave të veçanta të disave dhe lobistët që kanë investuar sipas mënyrës së vjetër të kryerjes së biznesit dhe e di se ata po përpiqen ta luftojnë planin ndërsa ne flasim. Dhe mesazhi im për ta është ”Edhe unë jam gati për të luftuar për miratimin e tij”, - tha ai.

Zoti Obama tha se buxheti i tij përmbush premtimet që ai bëri gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar. Mes tyre ishte një zotim për t’i dhënë fund shkurtimit të taksave për shtresat e pasura. Sipas planit të tij, të kamurit, që përbëjnë 5 për qind të popullsisë, duhet të paguajnë 1 trilion dollarë më tepër taksa gjatë dekadës së ardhshme, ndërsa shumica e njerëzve të tjerë do të paguajnë më pak taksa.

"Unë nuk kam ardhur këtu të bëj të njëjtën gjë që kemi qenë duke bërë, apo të bëj hapa të vegjël përpara, unë erdha për të sjellë ndryshimin e ndjeshëm që ky vend kërkonte kur votoi në zgjedhjet e nëntorit. Ky është ndryshimi që do të fillojë të sjellë ky buxhet dhe ky është ndryshimi për të cilin unë do të përpiqem në javët e ardhshme,"- tha Presidenti.

Shtëpia e Bardhë parashikon se SHBA do të hyjnë në vitin e ri fiskal me një deficit buxhetor prej 1,75 trilionë dollarësh, më i madhi që nga Lufta e Dytë Botërore dhe 4 herë më i madh se deficit buxhetor i këtij viti.

Në përgjigjen e Partisë Republikane ndaj fjalimit të Presidentit, senatori Richard Burr i Karolinës së Veriut, kritikoi përmasat e mëdha të buxhetit. Ai tha se Washingtoni “nuk do t'i pohojë shpenzimet qeveritare” në buxhetin e ri.

"Këtë javë Presidenti i dërgoi Kongresit kërkesën për rritjen më të madhe në shpenzimeve federale në historinë e SHBA-së, ndërsa e çoi defçitin në nivele që dikur mendoheshin se ishin të pamundura,"- tha ai.

Zoti Obama propozoi buxhetin e tij të parë federal të enjten dhe u zotua se do ta ulë përsëri nivelin e defiçitit në 4 vitet e ardhshme.//lk


XS
SM
MD
LG