Lidhje

Studim i ri mbi pasojat e alkoholit tek gratë

  • Amanda Skot

Një studim i fundit flet se konsumimi i vogël ose i kontrolluar i alkoholit shton rrezikun e kancerit tek gratë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Amanda Skot, njofton nga Uashingtoni:

Studimi i kryer nga shkenctarët e Universitetit Oksford zbulon se gratë të cilat konsumojnë një pije alkoholike në ditë ballafaqohen me rrezik më të madh për të zhvilluar lloje të caktuara të kancerit. Sipas studiuesve, rreziku rritet për çdo pije shtesë që konsumohet.

Në studim u përfshinë më shumë se një milion gra të moshës mesatare që jetojnë në Britaninë e Madhe dhe të cilat mesatarisht konsumojnë një pije alkoholike në ditë. Studiuesit mësuan se gjatë një periudhe shtatë vjeçare, gati 69,000 nga këto gra u diagnostikuan me kancer.


Doktoresha Jodi Moffat nga Instituti Britanik për Hulumtimin e Kancerit që e organizoi këtë studim, thotë se lloji i alkoholit të konsumuar nuk ka qenë faktori kryesor.

“Një pjesë interesante e këtij studimi është se shkencëtarët po synonin të gjenin në se rreziku ishte i ndryshëm për lloje të ndryshme të alkoholit të konsumuar. Për shembull, në se pija ishte verë, apo përzierje e llojeve të ndryshme të alkoholit—duke përfshirë edhe birrën. Ata erdhën në përfundim se ajo që është e rëndësishme, është sasia e alkoholit të konsumuar e jo lloji i alkoholit të konsumuar.”

Studiuesit thonë se gati 13 përqind e kancereve të gjirit, mëlçisë, të zorrës së trashë dhe të grykës, mund të jenë shkaktuar nga përdorimi i alkoholit.

Statistikat e përforcojnë këtë gjë. Në një grup prej 1,000 grash, të cilat mesatarisht konsumojnë nga një pije në ditë, 15 prejt tyre mund të preken nga kanceri deri në moshën 75. Dy pije në ditë do ta dyfishonin këtë rrezik. Tri pije në ditë do të rrisnin rrezikun në 45 raste të tjera të kancerit, që në kushte normale nuk do të paraqiteshin. Sipas studjuesve, shumica e rasteve të kanceri do të mund të ishin në gji.

Doktor Robert Breuer nga Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se rezultatet nga këto studime përputhen me rezultatet e studimeve të tjera, të cilat kanë treguar se kur është fjala për kancerin, nuk egziston një sasi e caktuar, e padëmshme e alkoholit që mund të konsumohet.

“Si këshillë e përgjithshme, konsumimi më i vogël i alkoholit, pa dyshim që është më i mirë se përdorimi më i madh. Por, edhe konsumimi në sasi të vogla, të cilat rekomandohen në dieta, përmban rrezik. Zakonisht është një rrezik shumë i vogël, por është diçka për të cilin njerëzit duhen të jenë të informuar kur ata marrin vendime për konsumimin e alkoholit për vete.”

Por studimi i Universitetit Oksford ka gjetur se konsumimi i alkoholit rrezikon më pak të zhvillojë disa lloje kanceri,—duke përfshirë atë të gjendrës tiroide dhe disa kancere të tjera. Studiuesit thonë se nevojitën kërkime të tjera për të mësuar më shumë për efektet e alkoholit.

Disa studime të publikuara flasin për ndikimin pozitiv në sëmundjet kardiovaskulare nga konsumimi i verës së kuqe. Por doktori Robert Breuer thotë se këto dobi mund të jenë falë faktorëve të tjerë, si aktivitetet fizike ose sasisë së vogël të yndyrnave.

“Sinqerisht, unë mendoj se ende nuk dihet në se konsumimi mesatar i alkoholit është, apo nuk është i dobishëm. Unë mendoj se është shumë e mundur, sidomos, kur është fjala për sëmundjet e zemrës. Por, është shumë e mundur që shumë veti mbrojtëse që ne mendojmë se vinë nga konsumimi i alkoholit mund të vinë nga faktorë të tjerë.”

Studimi i Universitetit të Oksfordit zbuloi se kur alkoholi është në trup, ai shndërrohet në një kimikat që mund të shkaktojë kancerin, duke dëmtuar ADN-në. Po ashtu, studimi thotë se njerëzit të cilët konsumojnë alkohol dhe duhan njëkohësisht, janë më të rrezikuar, pasi alkoholi mundëson që indet në gojë të thithin kimikatet nga duhani, që shkaktojnë kancerin. Përfundimet e këtij studimi do të publikohen në revistën e Institutit Kombëtar të Kancerit më 4 mars.//ap.

XS
SM
MD
LG