Lidhje

Ekspertët paralajmërojnë mbi rrezikun e armëve bërthamore


Ndërsa kërkesa për energji bërthamore është rritur ndjeshëm dhe ka shqetësime serioze mbi dëmin që i bëhet ambjentit përmes formave të energjisë si qymyri dhe gazi natyror, ekspertët thonë se është shtuar rreziku i rritjes së përdorimit të lëndëve bërthamore. Presidenti Obama i ka bërë thirrje botës të përballet me këto çështje, por ekspertët thonë se sfida e tij më e madhe do të jetë hartimi i rregulloreve të reja për të ndihmuar Agjencinë për Energji Bërthamore të kontrollojë materialet bërthamore nga të cilat mund të ndërtohen armë.

Më shumë se tetë nga 10 shkencëtarë ranë dakord gjatë një ankete të fundit se planeti tokë po ngrohet. Dhe ndërsa disa studiues paralajmërojnë se planeti po i afrohet një krize klimatike, ekspertë bërthamorë vënë gishtin mbi një tjetër krizë.

Shqetësimi i tyre është kërcënimi bërthamor, pasi, shtete të ndryshme mund t’i hedhin sytë nga energjia bërthamore për të shmangur dëmtimin e ambjentit, por disa nga këto mund të ndërtojnë armë bërthamore.

Italia, ndër vendet më të mëdha importuese të naftës dhe gazit natyror ishte një nga 12 shtetet që njoftoi se kishte në plan të ndërtonte 34 objekte të reja bërthamore.

Gjatë inaugurimit të tij si presidenti, zoti Obama foli edhe mbi këtë çështje.

"Bashkë me aleatët tanë por edhe me ish kundërshtarët tanë, do të punojmë pa pushim për të ulur kërcënimin bërthamor dhe do t’i ndërrojmë kah ndryshimeve klimatike”. - tha ai

Një grup ekspertësh që u takua rishtazi në Institutin Amerikan të Paqes i bëri thirrje administratës së zotit Obama të kërkojë krijimin e një regjimi të ri ndërkombëtar për çështje bërthamore. Ata propozojnë që shtetet të lejohen të pajisen me energji bërthamore por kërkojnë që derdhjet bërthamore t’i kthehen Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore.

Por një ish zyrtar i çështjeve bërthamore në Shtëpinë e Bardhë, Daniel Pounmen thotë se bashkësia ndërkombëtare duhet të sigurojë vendet se ka energji të mjaftueshme bërthamore.

"Duhet të jepen siguri tregtare, kombëtare, edhe ndërkombëtare që duhet të mbështeten nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore. Kjo do të na shpëtonte nga një katastrofë me përmasa botërore”. - thotë ai

Ekspertët thonë se zoti Obama trashëgon problemin koreano-verior dhe atë iranian nga administratat e mëparshme. Por ish Nënsekretari i Mbrojtjes, Erik Edelman thotë se diplomacia mund të luajë një rol pozitiv.

"Por kjo do të kërkojë që bashkësia ndërkombëtare të jetë më e efektshme në mënyrën se si përballet me këtë rrezik dhe përdor elementet e sigurisë kombëtare si sanksionet ekonomike siç ka ndodhur me Korenë e Veriut dhe Iranin”.- thotë ai

Ekspertët po kështu thonë se njëra nga arsyet për situatën e krijuar është edhe acarimi i marëdhënieve amerikano-ruse. Në Institutin Kombëtar për Diplomaci Publike, zoti Robert Xhozef thotë se Rusia po kështu ka interesta e veta strategjike dhe tregtare, që sipas tij shtojnë dëshirën ruse për t’i mohuar Shteteve të Bashkuara një fitore diplomatike. Por zoti Xhozef ka shpresë se administrata e re do të jetë në gjendje të arrijë një marrëveshje me Moskën për këtë çështje.

"Të dyja nismat në fushat e terrorizmit bërthamor dhe energjisë bërthamore kërkojnë bashkëpunim dhe këtu si interesat kombëtare ruse edhe ato amerikane lidhen së bashku”.

Ekspertët thonë se ka gjasa që bashkësia ndërkombëtare do të jetë në gjendje të bjerë dakord mbi një sistem që do të lejonte zgjerimin e sektorit të energjisë bërthamore pa shtuar rrezikun e krijimit të më shumë vendeve me fuqi bërthamore.//mm//

XS
SM
MD
LG