Lidhje

Buxheti i propozuar nga Pres. Obama ngjall debate  tek republikanët

  • Majkëll Bauman
  • Washington

Në Washington po zhvillohet një betejë e vërtetë lidhur me propozimin e Presidentit Barak Obama për buxhetin e ri të vendit, që shihet gjerësisht si një nga planet më gjithpërfshirëse në më tepër se një gjeneratë, përsa i përket fuqizimit të rolit të qeverisë amerikane në shoqëri.

Presidenti Obama thotë se populli amerikan e zgjodhi atë për të prekur nevojat urgjente që ka vendi, që nga pavarësia energjetike, tek reformimi i shërbimit shëndetësor, apo shtimi i mundësive për arsimimin dhe buxheti i tij prej 3,5 miliardë dollarësh për vitin 2010 është vetëm si të thuash një pagesë fillestare për arritjen e këttyre pikësynime.

Shtëpia e Bardhë parashikon një defiçit rekord prej 1,75 trilionë dollarësh për vitin e ardhshëm fiskal, më tepër se 12 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto në SHBA, shifra më e madhe që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore.

Kjo shifër i ka shtangur dhe tmerruar republikanët.

"Është një shifër e tmerrshme, kur mendon për ndikimin që do të ketë tek politikat, si dhe për nga madhësia e jashtëzakonshme..."

Senatori republikan Jon Kyl i Arizonës i bëri këto në një intervistë dje në televizionin FOX News.

"Ky buxhet ja shton borxhin vendit për të ardhmen më tepër se çdo borxh që ka patur që nga viti 1789, kur president ishte Xhorxh Washingtoni e deri vitin e fundit, kur President ishte Xhorxh Bush,"- tha ai.

Ndërsa i del në mbrojtje deficiteve masive afatshkurtër si të nevojshme kur ekonomia e vendit është në recesion, Presidenti Obama thotë se buxheti i tij do të pakësojë hendekun mes të ardhurave në vitet e ardhshme, duke eliminuar shpenzime të panevojshme dhe duke rritur taksat ndaj të ardhurave për njerëzit e pasur.

Por republikanët thonë se Presidenti po ashtu ka në plan të vendosë një regjim të ri taksash ndaj konsumit të energjisë, që do të prekë amerikanët e çdo niveli të ardhurash. Ata thonë se taksat nuk duhen rritur, në kushtet kur ekonomia është në rënie të lirë. Ja si shprehet senatori republikan Kyl:

"Politika e taksave duhet të mbështetet tek nevojat e qeverisë, por pa e dëmtuar ekonominë dhe familjet amerikane. Sot, ata që kanë të ardhura mbi 250 mijë në vit paguajnë mbi 60 për qind të taksave ndaj të ardhurave në SHBA. Pra sa ma tepër taksa doni ju që të paguajë ky 2 për qindsh i popullsisë?"- tha zoti Kyl.

Por ja si u shpreh për këtë çështje shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Rahm Emanuel në një intervistë që dha dje në televizionin CBS News:

"Taksat do të shkurtohen për 95 për qind të amerikanëve. Për dy vjet rresht askush nuk do të ketë shtim të taksave."

Zoti Emanuel shtoi se taksat që do të paguajnë njerëzit më të pasur të Amerikës do të kthehen në nivelin që ekzistonte gjatë administratës së Presidentit Clinton në vitet 1990, një dekadë kur pati një rritje të madhe të vendeve të punës në SHBA.

Muajin e kaluar, Presidenti Obama siguroi miratimin nga Kongresi të paketës masive të stimujve për ekonominë. Mbështetja e planit nga tre senatorë republikanë ishte kritike për miratimin e planit. Mbetet për t’u parë në se Presidenti do të mund të tërheqë përsëri, në një farë mase, edhe mbështetjen e ligjvënësve republikanë për buxhetin e propozuar prej tij.//lk




XS
SM
MD
LG