Lidhje

Berisha: Shqipëria, kërkesë për BE deri në qershor


Në Shqipëri, kryeministri Sali Berisha konfirmoi të hënën se vendi i tij do të aplikojë për statusin e vendit kandidat për në BE brenda muajit qershor. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të partisë demokratike.

Kryeministri deklaroi se Shqipëria e meriton plotësisht të ndërmarrë këtë hap, tashmë që edhe proceset e ratifikimit të marrëveshjes së Asocim Stabilizimit kanë përfunduar. Edhe parlamenti me konsensusin e të gjitha forcave politike e ka kërkuar një gjë të tillë nga qeveria.

Por sinjalet e lëshuara nga Brukseli nuk kanë qenë fort inkurajuese. Javën e shkuar pas takimit të Ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha me Komisionerin për zgjerimin Olli Rehn, zëdhënësja e këtij të fundit deklaroi se “Qeveria shqiptare kishte vendosur të mos nxitohej me aplikimin dhe se ajo ftohej ta koordinonte këtë lëvizje me Presidencën e radhës, me vendet anëtare dhe Komisionin” duke shtuar më pas se “sigurimi i përgatitjeve dhe zhvillimit të duhur të zgjedhjeve parlamentare të 2009 në përputhje me standartet ndërkombëtare është një kusht kyç për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”.

Formalisht Shqipëria nuk ka asnjë pengesë për të aplikuar, por çështja është se ky hap duhet të ndërmerret pasi të jetë garantuar mbështetja e të 27 vendeve, përndryshe kërkesa, në rastin më të mirë, lihet pa u marrë në shqyrtim, dhe në rastin më të keq ajo rrezikon të refuzohet nga Këshilli i Ministrave, edhe nëse një vend i vetëm nuk është dakort. //bsa//

XS
SM
MD
LG