Lidhje

Publikohet anketa për myslimanët në SHBA


Myslimanët në Shtetet e Bashkuara kanë arritur një nivel të lartë integrimi ekonomik por përgjithësisht nuk e ndjejnë veten të pasur dhe janë prapa grupeve të tjera të popullatës kur vjen puna te pjesmarrja politike. Këto janë disa përfundime të arritura nga një anketë e gjerë e bërë me myslimano-amerikanë dhe të publikuara dje në Uashington.

Në Amerikën e pas 11 shtatorit 2001, ndoshta asnjë grup tjetër popullate nuk ka ngjallur më shumë kuriozitet dhe nuk i është nënshtruar më shumë dyshimeve se sa myslimanët, të cilët përbëjnë më pak se 2 përqind të popullsisë amerikane.

Një raport i publikuar nga Qendra Gallup për Studimet Myslimane, i përshkruan myslimanët si komuniteti fetar më i larmishëm i Amerikës, i vetmi komunitet në të cilin asnjë grup i vetëm racor nuk përbën shumicë.

Por ndonëse myslimano-amerikanët jo gjithmonë mund t’i fusësh në këtë apo atë kategori, ata arrijnë ose tekalojnë mesataren e vendit përsa u përket disa treguesve ekonomikë dhe arsimorë.

Nga rreth një mijë myslimanë që morën pjesë në anketimin e Qendrës Gallup vitin e kaluar, 70 përqind thanë se kanë një punë, krahasuar me 64 përqind të popullatës amerikane në përgjithësi. Rreth një e katërta e myslimano-amerikanëve thanë se janë të vetpunësuar, krahasuar me 17 përqind të amerikanëve në përgjithësi. Mes amerikanëve që nuk punojnë, një përqindje më e lartë e myslimanësh se sa e çdo grupi tjetër fetar janë studentë. Anketa tregon gjithashtu se myslimanët ishin të dytët, pas hebrejve, përsa i përket arritjeve në aspektin arsimor.

Ja ç’thotë analisti i Qendrës Gallup për studimet myslimane, Ahmed Younis:

"Myslimano-amerikanët pasqyrojnë vetë Amerikën. Në sukseset e tyre ata pasqyrojnë sukseset e projektit amerikan. Në sfidat e tyre, ata pasqyrojnë diferencat në përvojën amerikane. Në përpjekjet për ta përmirësuar ose për ta sjellë ëndrrën amerikane tek e gjithë popullata, do të duhet patjetër që të zgjidhen disa çështje që kanë të bëjnë me lementë të caktuar të komunitetit myslimano-amerikan."

Mirëpo është interesant fakti se sipas anketës, myslimano-amerikanët kanë prirjen më pak se të tjetër të thonë se jetojnë në begati. Përkundrazi ata priren më tepër të thonë se e kanë jetën të vështirë.

Drejtorja e Qendrës, Dalia Mogahed, thotë:

"Myslimano-amerikanët janë mes njerëzve më të preokupuar për gjendjen e ekonomisë, dhe kjo është e vërtetë për vitin 2008. Ata janë po aq të shqetësuar sa edhe të tjerët për faktin se ku po shkon Amerika nga pikpamja ekonomike."

Mogahed ve në dukje se myslimano-amerikanët janë një popullatë e re. Pjesmarrësit e anketës ishin në një të tretën e tyre mes 18 dhe 29 vjeçarë. Ajo thotë se sulmet terroriste të vitit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara, erdhën pikërisht në kohën kur ky grup popullate ishte në formim e sipër.

"Nga të padukshëm, ata u kthyen në pakicën më interesante në Shtetet e Bashkuara, dhe kjo në një farë kuptimi negativ, në një vend i cili përpiqej të vetmbrohej nga terrorismi, nëse kemi parasysh dy luftra në vende me shumica myslimane, Afganistan dhe Irak."

Sipas anketës, rreth dy të tretat e myslimano-amerikanëve janë të regjistruar për të votuar por ata janë komuniteti fetar më pak i prirur për ta shfrytëzuar këtë të drejtë. Sidoqoftë, analistët e Qendrës Gallup thonë se presin që pjesmarrja politike e myslimanëve të rritet me kalimin e kohës ashtu siç ka ndodhur edhe me grupet e tjera të popullatës në historinë e Amerikës.

Informacione më të hollësishme për anketën mund t’i gjeni në www.gallupmuslimstudies.com //ii

XS
SM
MD
LG