Lidhje

Kryeministri britanik i drejtohet Kongresit amerikan



Kryeministri britanik Gordon Braun, u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë që të bashkojnë gjithë botën në një përpjekje të bashkërenduar për t’iu kundërvënë krizës ekonomike globale.

Duke mbajtur sot fjalim para të dy dhomave të kongresit amerikan, kryeministri Braun përsëriti thirrjen e tij për një ristrukturim ndërkombëtar të sistemit financiar, të cilin ai e quajti “një marrëveshje të re globale”.

Ai tha se vendet e ndryshme mund të kenë më shumë sukses kur punojnë së bashku. Ai bëri thirrje për rregulla ndërkombëtare për qeverisjen e bankave, si dhe për bashkëpunimin global mbi planet e stimulimit dhe uljen e interesave.

Kryeministri britanik tha se veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Britnaia duhet të shmangin proteksionizmin dhe të rikthejnë besimin e tyre tek e ardhmja me investime në prodhime, shërbime dhe teknologji të reja, për të krijuar begati e vende pune si dhe për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm ekonomik.

Ai tha se të dy vendet nuk duhet të harrojnë më të varfërit dhe më pak të fuqishmit e botës, madje t’i bëjnë këto vende përparësinë e tyre kryesore në kuadër të përgjigjes ndaj krizës ekonomike.

Zoti Braun përshëndeti rolin udhëheqës të Amerikës për vite me radhë dhe përsëriti angazhimin e Britanisë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar partneritetin mes dy vendeve si të “pathyeshme”.

XS
SM
MD
LG