Lidhje

Analistët: Ndikimi i Rusisë tek Irani është i kufizuar


Planet amerikane për të dislokuar një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropën Lindore vazhdojnë të jenë burim mosmarrëveshjesh mes Uashingtonit dhe Moskës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Andre de Nesnera i hedh një vështrim zhvillimeve të fundit në lidhje me këtë çështje.

Zyrtarë amerikanë thonë se sistemi i propozuar i mbrojtjes nga raketat, i cili përbëhet nga dhjetë sisteme interceptorësh në Poloni dhe një stacion radarësh në Republikën Çeke, është i nevojshëm, për t’u përballur me kërcënime të mundshme nga vende si Irani. Sipas tyre, ky sistem nuk ka për qëllim të godasë Rusinë. Por zyrtarë të lartë rusë kanë kritikuar fuqishëm sistemin e propozuar për mbrojtje nga raketat.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian besojnë se programi i pasurimit të uraniumit të Iranit është projektuar për të ndërtuar armë bërthamore. Teherani thotë se kërkon vetëm të pasurojë uranium për arsye paqësore, për të prodhuar energji.

Sipas ekspertëve Rusia dhe Irani kanë lidhje të ngushta tregtare. Moska është një nga partnerët tregtarë më të mëdhenj të Teheranit, duke i dhënë këtij të fundit armë si dhe mallra konsumi. Moska po kështu po ndërton një objekt bërthamor në Bushehr në pjesën jugperëndimore të Iranit. Në aspektin politik, Moska ka qënë një mbështetëse e fortë e Iranit dhe ka kundërshtuar vendosjen e sanksioneve të forta nga Teherani në lidhje me pretendimet për programin bërthamor iranian.

Sipas raporteve të kohëve të fundit, presidenti Barak Obama ka ofruar të tërhiqet nga planet për mbrojtjen nga raketat, nëse Moska do të japë ndihmë për të parandaluar Iranin në zhvillimin e armëve bërthamore.

Reva Bhalla nga kompania Stratfor, një grup i pavarur kërkimesh në Uashington, thotë se letra e zotit Obama që lidhej me mbrojtjen nga raketat në Evropë u zbulua në një moment kritik.

"Çfarë po ndodh është që Shtetet e Bashkuara po i thonë Rusisë se i kuptojnë shqetësimet e tyre mbi mbrojtjen nga raketat, por presin nga ata që të përdorin marrëdhënien që Moska ka me Teheranin, për të zbehur programin bërthamor të Iranit. Në këtë mënyrë nuk do të kishte më as nevojë për mbrojtjen nga raketat”.

Por zonja Bhalla thotë se qeveritë çeke dhe polake duhet të shqetësohen.

"Situata e këtyre vendeve është shumë delikate për momentin. Atyre nuk po u pëlqen mënyra sesi Shtetet e Bashkuara po e trajtojnë këtë çështje. E njëjta gjë vlen edhe për vendet balltike që po kërkojnë një pozicionim më të fortë nga pala amerikane”.


Sipas ekspertëve, shumë gjëra mbi ecurinë e programit bërthamor të Iranit mund të varen nga trysnia që Rusia do t’i ushtrojë Teheranit. Shumë ekspertë, përfshirë edhe zotin Robert Legvold nga universiteti Kolumbia, thonë se ndikimi i Rusisë mbi Iranin është i kufizuar.

"Nëse Shtetet e Bashkuara dhe Evropa vendosin të përpiqen të rrisin trysninë ndaj Iranit përmes sanksioneve, veçanërisht përsa i përket karburantit dhe eksportit të naftës së përpunuar për në Iran, atëherë Rusia do të luante një rol kyç. Por nuk është e qartë nëse edhe sanksionet e këtij lloji ndaj Iranit do të ndryshojnë pozitën iraniane. Kështu që besoj, se ka një kufi për çështjen sesa mund të ndihmojë Rusia në këtë aspekt”.


Por, Reva Bhalla nga kompania Stratfor thotë se iranianët aktualisht ndodhen në një situatë shumë delikate.

"Ata duhet të ndjehen shumë nervozë për momentin. Irani e mban e mend shumë mirë pushtimin rus të Iranit verior për një kohë të shkurtër nga ana e Rusisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe e di se interesimi i palës ruse tek Irani vjen më shumë nga nevoja që ka Rusia për vëmendjen amerikane mbi çështje strategjike si mbrojtja nga raketat apo zgjerimi i NATOs”.

Ekspertët thonë se do të jetë interesante të shihet se çfarë do të ndodhë në javët dhe muajt e ardhshëm dhe nëse administrata e zotit Obama do të jetë në gjendje të ndryshojë planet e Iranit për armë bërthamore me apo pa ndihmën ruse. //ek

XS
SM
MD
LG