Lidhje

Serbët bllokojnë SHPK-në dhe policinë e EULEX-it në veri të Kosovës


Protestues serbë penguan sot Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Sheremet Ahmeti dhe përfaqësuesin e policisë së EULEX-it, Rainer Kuehn, që të vizitojnë tre stacione policore në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe.

Sipas policisë, rreth 200 pjesëtarë të komunitetit serbë ishin mbledhur në afërsi të stacionit Policor të Leposaviqit në shenjë proteste ndaj vizitës së drejtorit të policisë së Kosovës. Grupe protestuesish ishin mbledhur edhe në afërsi të stacioneve policore në Zveçan dhe Zubin Potok.

Sipas njoftimeve, protestuesit serbë thanë se nuk do të lejojnë asnjë anëtar të “të ashtuquajturit shtet i Kosovës” për të hyrë në zonat e banuara me shumicë serbe.

Veriu i Kosovës, vazhdon të mbetet sfidë për institucione vendase e ndërkombëtare për shkak të kundërshtimit të pjesëtarëve të komunitetit serb ndaj pavarësisë së Kosovës.

Udhëheqësit në Prishtinë thonë se do të shtrijnë autoritetin e tyre edhe në atë pjesë të vendit, me gjithë kundërshtimet e Beogradit dhe serbëve të pjesës veriore, por kanë përjashtuar çdo mundësi të përdorimit të forcës. //bsa//

XS
SM
MD
LG