Lidhje

Rivaliteti Zardari-Sharif shkakton tensione në Pakistan


Në Pakistan, rivaliteti mes presidentit Asif Ali Zardari dhe ish partnerit të tij të koalicionit Navaz Sharif po krijon më shumë tensione në vendin që përballet me probleme ekonomike dhe politike. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë javën e kaluar që ndaloi zotin Sharif të mbajë poste zyrtare, shpërthyen protesta në qytetet kryesore. Mosmarrëveshja vjen ndërsa avokatët dhe udhëheqësit e opozitës planifikuan marshime mbarëkombëtare për t’i bërë trysni zotit Zardari të rivendosë në post ish kryetarin e drejtësisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ravi Kana ka përgatitur kronikën.

Zemërimi është ende i madh në Pakistan lidhur me vendimin e Gjykatës së Lartë për të ndaluar ish kryeministrin Navaz Sharif dhe vëllanë e tij, ministrin e parë të Punxhabit Shabaz Sharif, të mbajnë poste publike.

Përkrahësit e zotit Sharif në qytetet kryesore dolën në rrugë, për tre ditë pas vendimit javën e kaluar, dhe u përleshën me policinë në Islamabad. Dy herë kryeministër, zoti Sharif u ndalua për arsye të një dënimi kriminal që lidhej me grushtin ushtarak që e rrëzoi atë nga pushteti në vitin 1999. Vendimi për fajësinë e vëllait të tij në një çështje zgjedhore mbeti gjithashtu i pandryshuar. Zoti Sharif pretendon se rivali i tij, presidenti Asif Ali Zardari ndikoi në vendimin e gjykatës.

Mendoj se ka trazira në këtë vend, që nuk janë të mirë për demokracinë e asnjë vendi. Zoti Zardari, i shoqi i udhëheqëses së vrarë Benazir Buto i mohon akuzat por mesa duket e acaroi krizën duke vendosur pushtetin federal të drejtpërdrejtë në bazën e fuqishme të zotit Sharif, provincën Punxhab. Teresita Shejfër në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thotë se kjo dëmton imazhin e zotit Zardari.

Kjo përbën një kërcënim serioz për besueshmërinë demokratike të qeverisë së tanishme por në përgjithësi edhe në përpjekjet për forcimin e demokracisë në qeverisjen e tanishme në Pakistan. Zoti Sharif ishte partner në qeverinë e koalicionit të zotit Zardari. Por ai u tërhoq në fund të vitit të kaluar pas refuzimit të qeverisë për të rivendosur në post shefin e drejtësisë, Iftikar Çaudri i cili u shkarkua nga ish presidenti Pervez Musharraf në vitin 2007.

Zoti Sharif thotë se presidenti Zardari ka frikë se në se rivendoset përsëri, Iftikar Çaudri mund të rihapë çështjet për korrupsion kundër tij. Ekspertët shqetësohen se paqendrueshmëria e vazhdueshme politike, e ndërthurur me problemet ekonomike dhe luftën kundër terrorizmit në Pakistan mund të bëjë që të ndërhyjë ushtria. Zonja Shejfër thotë se megjithëse duket se Shefi i Ushtrisë, Ashfak Kajani, preferon të ketë një qeveri civile, sinjalet janë të ndryshme.

Ushtria ende pret të ketë përparësi në çdo gjë që ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe ky nuk ka qënë një proces i qetë. Ata kanë bërë publike kundërshtimin ndaj disa vendimeve të qeverisë. Partitë e zotit Sharif dhe zonjës Benazir Bhutto kanë dominuar politikën e Pakistanit për më shumë se dy dekada, thotë Marvin Veinbaum i Institutit të Lindjes së Mesme.

Vendi duket sikur nuk ka mundësi të sjellë në skenën politike gjak të ri. Kur shohim udhëheqësit e tanishëm politikë dhe individë që mund të vinë në udhëheqje, duket se janë të njejtët njerëz që riciklohen herë pas here. Edhe pse më shumë njerëz lëvizin në zonat urbane nga fshatrat e Pakistanit, mbështetja kryesore e partive politike vjen nga zonat rurale. Shuja Navaz në Këshillin Atlantik thotë se vendi ka nevojë për parti politike me bazë në qytete.

Në qoftë se krijohet një udhëheqje e vërtetë ndër-nacionale, që nuk mbështetet në një bazë të vetme politike provinciale, atëherë Pakistani mund të ketë elementët për një politikë të qendrueshme. Ekspertët thonë se kriza politike në Pakistan mund ta çojë një ekonomi tashmë të rënduar në një gjendje edhe më të vështirë, gjë që mund ta shpërqendrojë vemendjen e qeverisë Zardari nga lufta kundër terrorizmit. //bsa//

XS
SM
MD
LG