Lidhje

Klinton, Lavrov, sinjale për fillim të ri në marrëdhëniet SHBA-Rusi

  • Liza Shlajn
  • Gjenevë

SHBA dhe Rusia sinjalizuan një fillim të ri në marrëdhëniet mes tyre dhe u zotuan për arritjen e një marrëveshjeje për një traktat të ri strategjik për pakësimin e armatimeve deri në fund të këtij viti. Sekretarja amerikane Shtetit Hillari Klinton dhe homologu i saj rus Sergei Lavrov, në takimin e tyre të parë ballë për ballë, që kur zonja Klinton ka filluar detyrën e saj në postin e ri, ranë dakord t’i përmirësojnë marrëdhëniet SHBA-Rusi pas disa muajsh me tensione mes të dy vendeve.

Zonja Klinton dhe zoti Lavrov dukeshin me humor të mirë kur filluan konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit të tyre në Gjenevë. Ata dukej qartë se kishin një marrëdhënie të përzemërt, pas një darke që patën bashkë dhe që ata e cilësuan të mrekullueshme. Ata thanë se shpresonin që takimi i tyre i parë do të sjellë diskutime të tjera të rëndësishme mes SHBA-së dhe Rusisë.

Zonja Klinton tha se të dy vendet kanë një sërë interesash të përbashkëta. Ajo tha se bashkë me zotin Lavrov u zotuan të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për çështje të interesit reciprok, si kontrolli i armatimeve, mospërhapja e armëve, Afganistani, Irani dhe Koreja e Veriut.

"Nuk ka kohë për të humbur për një numër sfidash të rëndësishme, prandaj do të fillojmë të bashkëpunojmë pa humbur kohë, për t’i kthyer fjalët tona në vepra. Ne diskutuam edhe për përparësitë tona kryesore, si negociatat për vazhdimin e marrëveshjes START, Traktati Strategjik i Pakësimit të Armatimeve. Diskutuam gjithashtu për një fushë më të gjerë bashkëpunimi, për pakësimin e numrit të armëve bërthamore dhe parandalimin e shtimit të numri të armatimeve,"- tha zonja Klinton.

Traktati i parë START mes SHBA-së dhe Rusisë i nënshkruar në vitin 1991 vendosi një limit prej 6 mijë raketash bërthamore strategjike, ose me rreze të gjatë veprimi nga secila palë. Një traktat i dytë i nënshkurar në vitin 2002 kërkonte pakësimin edhe më të madh të arsenalit bërthamor të secilit prej të dy vendeve. Ky traktat skadon në fund të këtij viti.

Zoti Lavrov ishte dakord me pozicionin e zonjës Klinton se është e rëndësishme të bashkëpunohet pa humbur kohë lidhur me negocimin e një traktati të ri. Ja si u shpreh ai përmes përkthyesit:

"Ne do të bëjmë gjithshka për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Traktati i tanishëm është vjetëruar. Kufizimet e përcaktuara prej tij janë zbatuar kohë më parë dhe mbajtja në fuqi e këtij traktati do të thonte që SHBA të rrisin numrin e armatimeve strategjike mbrojtëse, duke i dërguar një sinjal shumë të keq pjesës tjetër të botës, veçanërisht gjatë përgatitjeve për rishikimin e konferencës për traktatin e mospërhapjes së armëve,"- tha ai.

Kjo konferencë është në plan të mbahet në vitin 2010. Si zonja Klinton, edhe zoti Lavrov, thanë se besojnë se do të finalizojnë një traktat të ri START deri në fund të vitit.

Ndërsa zonja Klinton dhe zoti Lavrov folën për çështje të interesit të përbashkët, ata pranuan edhe fushat ku kanë momarrëveshje, si lufta në Gjeorgji, lidhur me rajonet separatiste të Osetisë Jugore dhe mënyrat e trajtimit të programit bërthmor të Iranit.//lk

XS
SM
MD
LG