Lidhje

Ide të reja për dialog me botën myslimane


Me administratë ne re në Uashington kanë rifilluar edhe diskutimet për përmirësimin e marrëdhënieve me botën myslimane. Sipas një sondazhi të opinionit në vendet arabe dhe myslimane të kryer nga grupi Opinioni Publik i Botër, kjo përpjekje duket se do të jetë tejet e vështirë dhe komplekse. Megjithatë debati se si administrata Obama mund të angazhojë më mirë botën myslimane vazhdon.

Që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe botës myslimane ka mbizotëruar mosbesimi, siç tregon sondazhi i grupit Opinioni Publik Botëror.

Në të thuhet se abuzimi i robërve në burgun Abu Ghraib dhe mbajtja e individëve të dyshuar si terroristë në bazën Guantanamo kanë kontribuar në bindjen e myslimanëve se ata kanë qënë objektivat e luftës amerikane kundër terrorizmit.

Ndërsa 7 në 10 vetë të intervistuar në vendet myslimane thanë se janë kundër sulmeve ndaj civilëve amerikanë , një shumicë e ndjeshme mbështet qëllimin e al-Kaidës për spastrimin e botës myslimane nga bazat ushtarake dhe trupat amerikane. Steven Kull, drejtori i Opinionit Publik Botëror, përshkruan dilemën e Uashingtonit në përpjekjen për të luftuar terrorizmin me zgjerimin e pranisë ushtarake në vendet islamike.

"Prania jonë ushtarake provokoi një farë simpatie për grupet terroriste dhe ndoshta krijoi kushtet për procesin e tyre të rekrutimit. Prandaj për mendimin tim hartuesit e politikës amerikane janë në një pozitë të vështirë ku u duhet të shqyrtojnë pasojat e pranisë ushtarake”.

Zoti Kull thotë se Uashingtoni duhet të luajë një rol më aktiv për zgjidhjen e konfliktit palestinezo-izraelit, të pranojë rezultatet e zgjedhjeve edhe në qoftë se fitojnë islamistët, të trajtojë myslimanët dhe fenë e tyre me respekt, në qoftë se do një angazhim më të mirë me botën myslimane. E njejta temë u prek në debatin e një komisoni të Senatit, të kryesuar nga Senatori demokrat Xhon Keri.

Ai theksoi angazhimin e Presidentit Obama për përmirësimin e marrëdhënieve me botën myslimane mbi bazat e respektit reciprok.

"Në qoftë se ne duam me të vërtetë që të angazhojmë myslimanët e moderuar, ne duhet patjetër të mos tolerojmë islamo-fobinë që është bërë pjesë e debatit politik që nga 11 shtatori”.

Ekspertët si ish sekretarja e Shtetit, Medlin Ollbrajt, rekomandon angazhimin e komuniteteve myslimane nëpër botë.

"Përdorimi intensiv i diplomacisë për zgjidhjen e konflikteve , mbështetja për qeverisje më të mirë në shumicën e shteteve myslimane, përpjekjet për shtimin e mundësive ekonomike dhe dialogu janë hapa që i shërbejnë rritjes së mirëkuptimit reciprok”.

Zonja Ollbrajt vuri në dukje edhe rëndësinë e kumunikimit me popullin mysliman nëpërmjet programeve të shkëmbimit, mësimit të gjuhës dhe kulturës, si dhe komunikmit më të mirë nëpërmjet medias, si për shembull pjesëmarrjes së zyrtarëve amerikanë në kanale televizive si Al Xhazira. Edhe ekspertët e komunitetit mysliman amerikan kanë bërë rekomandimet e tyre.

Drejtorja ekzekutive e Qendrës Gallup për Studimet Myslimane rekomandoi tri alternativa që citohen në sondazh për të anagazhuar popullatën myslimane.

"Zgjidhja e konflikteve, reformat politike dhe ekonomike dhe respekti reciprok. Nëse ne diskutonim me dikë në Kazablanka apo në Kuala Lumpur, përgjigja më e zakonshme ishte që Perëndimi duhet të tregojë më shumë respekt për Islamin dhe t’i konsiderojë myslimantër të barabartë dhe jo inferiorë”.

Ekspertët janë të një mendimi se zgjidhja e konflikit izsraelito-palestinez do ta ngrejë prestigjin e Shteteve të Bashkuara në botën myslimane. Senatori Keri shkon edhe më tej duke thënë se pa demonstrimin e angazhimit nga Amerika për të vepruar si ndërmjetës i ndershëm në zgjidhjen e konfliktit, asnjë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me myslimanët kudo në botë nuk do të ketë sukses. //ad//

XS
SM
MD
LG