Lidhje

Obama, qeveria dhe përplasjet filozofike mes dy partive

  • Jim Malone

Planet e Presidentit Barak Obama për të përdorur fuqinë e qeverisë për të rigjallëruar ekonominë sinjalizojnë një ndryshim ideologjik në Uashington, më i rëndësishmi që nga viti 1981 kur Presidenti Ronald Reagan erdhi në Shtëpinë e Bardhë.

Kur ishte kandidat për president, zoti Obama premtoi ndryshime të mëdha dhe përmasat e këtyre ndryshimeve u dukën plotësisht në planin dhjetëvjeçar të buxhetit që Presidenti Obama shpalli kohët e fundit.

Në këtë plan, zoti Obama parashikon shpenzime qeveritare masive, rritje taksash ndaj bizneseve të mëdha dhe të pasurve dhe deficite të mëdha buxhetore.

Presidenti thotë se ekonomia është dobësuar aq shumë sa që vetëm qeveria mund ta sjellë atë përsëri në jetë.

"Në këtë moment të veçantë kur sektori privat është dobësuar nga recesioni, qeveria federale është i vetmi entitet që ka mundësitë për t’i dhënë shtytje ekonomisë dhe për ta sjellë atë përsëri në jetë," thotë Presidenti Obama.

Në të njëjtën kohë, Presidenti Obama ka premtuar të zgjidhë një numër sfidash të vështira afatgjatë me të cilat përballet vendi, si zgjerimi i mbulimit shëndetësor të popullatës duke frenuar njëkohësisht koston e saj të në rritje, përpjekjet për t’i bërë Shtetet e Bashkuara më të pavarura në aspektin e energjisë dhe reformimi i sistemit arsimor.

Duket se ka shumë gjëra për t’u bërë dhe për t’u bërë njëkohësisht, thotë Fred Barnes, redaktor i revistës konservatore Weekly Standard, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Por, shton zoti Barnes, President ka të drejtë që ka filluar qysh tani t’i japë një shtytje krejt programit të tij.

"Ka patur një debat se ç’farë strategjie duhet ndjekur dhe strategjia që ai po ndjek thotë se ne do t’i bëjmë gjërat njëkohësisht dhe jo një nga një – pra gjëra të tilla si taksat, kujdesi shëndetësor, mjedisi e të tjera."

Por zoti Barnes shton këtu se programi i zotit Obama është tepër liberal dhe mund të kritikohet keqazi nga republikanët e opozitës në Kongres.

Konservatorët kanë filluart të mobilizohen kundër planit të buxhetit të zotit Obama, mes tyre edhe komentatori i njohur i radios, Rush Limbaugh.

Zoti Limbaugh ditët e fundit ngriti peshë një audiencë konservatorësh në Uashington me kritika të ashpra ndaj Presidentit Obama.

"Çfarë ka të çuditëshme kur unë e them me ndershmëri se dëshiroj që Barak Obama të dështojë në misionin e tij për të ristruktuar dhe reformuar vendin në atë mënyrë që kapitalizmi dhe liria individuale të mos jenë themeli i tij? Përse u dashka që kjo të ketë sukses?"

Edhe nëse pjesë të caktuara të programit të Presidentit Obama kthehen në ligj nga Kongresi, kjo do të përbënte ndryshimin më të madh ideologjik që nga fillimi i viteve 80, kur Presidenti Ronald Regan e vuri theksin te shkurtimi i taksave dhe i shpenzimeve buxhetore.

Disa analistë e krahasojnë strategjinë e zotit Obama me atë të Presidentit Franklin Ruzvelt gjatë Depresionit të Madh të viteve 30.

Ja ç’thotë Matt Dallek, ekspert i historisë politike në Uashington.

"Ndonëse jo të gjithë, por në shumicën tonë ne e pranojmë se qeveria federale duhet të luajë një rol në periudhën e krizës ekonomike, gjë që në vitin 1933 ishte një çështje shumë më e debatueshme.”

Por ky debat duket se po lind përsëri tani në vitin 2009, të paktën mes disa udhëheqsve republikanë të Kongresit.

Kongresmeni republikan Pol Rajën nga shteti Uiskonsin, thotë se nëse vihet në jetë, plani i buxhetit i Presidentit Obama do të çonte në zgjerimin më të madh të qeverisë që nga koha e Franklin Ruzveltit.

Deri tani, shumë analistë besojnë se zoti Obama ka bërë një punë të efektëshme në argumentimin e ndërhyrjes së qeverisë për të frenuar recesionin .

Ja ç’thotë Tom DeFrank, i gazetës New York Daily News.

"Për mirë apo për keq, më duket se një pjesë e mirë e vendit beson se Obama është shpresa e fundit dhe më e mirë që ne kemi për të na nxjerrë nga ky kaos dhe nëse nuk është shpresa më e mirë, është shpresa e vetme për katër vitet e ardhshëm."


Dy anketa të reja duket se e mbështesin këtë mendim. Presidenti gëzon një mbështetje në publik prej 60 përqind sipas një ankete të fundit të gazetës Wall Street Journal dhe rrjetit televiziv NBC dhe 59 përqind sipas një ankete të kryer nga Universiteti Quinnipiac në shtetin Konektikat.

Ekspertët politikë mund të kenë mendime të ndryshme lidhur me stretegjinë e zotit Obama për t’i bërë të gjitha njëkohësisht në aspektin ekonomik por ekziston një mendim i përgjithshëm se strategjia e presidentit është e guximshme dhe ndoshta me rreziqe.

Presidenti Obama shpreson që ekonomia e vendit të përmirësohet para se mbështetja e publikut për të dhe për politikat e tij të fillojë të bjerë në anketa.//ap


XS
SM
MD
LG