Lidhje

Presidenti Obama kërkon mbështetje për planin e tij


Presidenti Barak Obama, u bëri thirrje amerikanëve që të mbështesin planin për të rimëkëmbur ekonominë, duke thënë se ka rëndësi të madhe që vendimet e vështira të merren tani.

Gjatë fjalimit të tij të përjavshëm në radio dhe në Internet, Presidenti Barak Obama, u bëri thirrje amerikanëve që të mbështesin planin e tij për rimëkëmbjee ekonomike, duke thënë se ai është i gatshëm të bëjë çfarë është e nevojshme për t’i dhënë fund recesionit të dhimbshëm.

Presidenti Obama tha se ai filloi nga puna, duke qenë i ndërgjegjshëm se përmirësimi i gjendjes ekonomike të vendit nuk do të ndodhë shpejt dhe as do të jetë diçka e lehtë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Presidenti e shfrytëzoi fjalimin e tij të përjavshëm në radio për të siguruar mbështetje për nismat e tij për reformimin e shërbimit shëndetësor, krijimin e vendeve të punës, çbllokimin e tregut të kredive dhe ndihmën për njerëzit që nuk janë në gjendje të paguajnë kredinë ndaj bankës, të mos humbasin shtëpitë:

Presidenti Obama e filloi fjalimin e tij të përjavshëm në radio duke pohuar shifrat shkurajuese të ditëve të fundit për ekonominë.

"Dje ne mësuam se ekonomia humbi edhe 651 mijë vende të reja pune gjatë muajit shkurt, që e çon numrin e përgjithshëm të të papunëve gjatë recesionit në 4,4 milionë vetë. Niveli i papunësisë tani e ka kaluar shifrën e 8 për qindshit, shifra më e lartë në një çerek shekulli," - tha ai.

Por zoti Obama tha se kur ai erdhi në Shtëpinë e Bardhë në janar e dinte se kriza nuk mund të zgjidhej me lehtësi dhe menjëherë. Dhe ai shprehu optimizëm se në se merren masat e nevojshme, SHBA do ta kapërcejnë krizën dhe do të dalin prej saj më të forta dhe më të fuqishme se më parë.

Presidenti përmendi masat e propozuara prej tij gjatë javës së fundit për rigjallërimin e tregut të shtëpive, duke përfshirë zbatimin e planit të tij për t’i lejuar bankat të bashkëpunojnë me klientët për rifinancimin e kredisë, për të cilin ai thotë se do t’u vijë në ndihmë rreth 4 milionë njerëzve të mos humbin shtëpitë.

"Të mërkurën, Departamenti i Thesarit, i Strehimit dhe Zhvillimit Urban, publikoi udhëzuesit që bankat do të përdorin për të ulur pagesat mujore për shtëpitë. Ky plan tani ka filluar të zbatohet," - tha Presidenti.

Zoti Obama tha se nisma e tij për dhënien e kredive për Konsumatorët dhe Bizneset do të gjenerojë rreth një trilionë dollarë në kredi të reja që do të jepen, për të çbllokuar tregun e huadhënies dhe për të stabilizuar tregjet financiare.

Presidenti po ashtu promovoi nismën e tij për reformimin e shërbimit shëndetësor në SHBA, që është më i kushtueshmi në botë dhe me rreth 48 milionë njerëz pa sigurim shëndetësor. Të enjten zoti Obama organizoi në Shtëpinë e Bardhë një takim për shërbimin shëndetësor, për të dëgjuar mendime të ndryshme lidhur me rregullimin e sistemit.

"Idetë dhe opinionet tona se si do ta realizojmë këtë reformë do të jenë të ndryshme, por synimi ynë duhet të jetë i njëjtë: një sistem shëndetësor cilësor, i përballueshëm për çdo amerikan, që nuk është tepër i kushtueshëm për familjet, bizneset dhe qeverinë tonë”,- tha Presidenti.

Republikanët në opozitë janë ankuar se buxheti i propozuar nga zoti Obama dhe sidomos idetë e tij për reformimin e shërbimit shëndetësor, janë tepër të kushtueshme. Në përgjigjen e përjavshme të Partisë Republikane, kongresmeni Roi Blant tha se plani që po shqyrton Presidenti, për t’i dhënë mundësinë amerikanëve të blejnë sigurimin shëndetësor përmes një programi qeveritar, do të bënte më tepër keq se sa mirë.

"Shqetësohem, se në se qeveria ndërhyn, do të ndryshonte shërbimin shëndetësor që gëzojnë sot miliona amerikanë. Kjo mund ta lejonte punëdhënësin, që thjesht të ndalë mbulimin shëndetësor për punonjësit, me shpresën që do t’ua sigurojë qeveria," - tha zoti Blant.
Presidenti dhe familja e tij po e kalojnë fundjavën në shtëpinë presidenciale në Kemp Dajvid, pranë Washingtonit.//lk



XS
SM
MD
LG