Lidhje

Hyseni: Procesi diplomatik në Kosovë nuk ka ngecur


Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i tha Zërit të Amerikës se procesi i njohjes së shtetit të ri nuk ka pësuar ngecje ndërsa hodhi poshtë kritikat që i bëhen diplomacisë së Kosovës për këtë çështje. Ministri Hyseni shpreh besimin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të jetë në favor të së drejtës së popullit të Kosovës për të shpallur pavarësinë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, Kosova ka hyrë në vitin e dytë si shtet. Ju si e vlerësoni vitin e parë të politikës së jashtme të Kosovës?

Skënder Hyseni: Në vitin e parë të ekzistencës së tij, shteti i Kosovës ka shënuar rezultate shumë të mëdha. Rezultatet janë shumë të mëdha duke pasur parasysh kohën kur është themeluar ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës e cila zyrtarisht ka filluar së funksionuari më 15 qershor të vitit të kaluar, dhe për një kohë shumë të shkurtër, ajo ka pasur sukses në vendosjen e konturave të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës. Kjo ministri ka qenë shumë e suksesshme në vendosjen dhe funksionalizimin e dhjetë misioneve të para diplomatike të Republikës së Kosovës, ka qenë shumë e suksesshme në ndërtimin e strukturës së brendshme të saj, ka shënuar rezultate dhe ka qenë e suksesshme në ofrimin e shërbimeve që ofron çdo ministri e punëve të jashtme duke filluar nga privilegjet dhe imunitetet diplomatike për misionet e huaja diplomatike të akredituara në Republikën e Kosovës. Me një fjalë, të arriturat janë të mëdha, ka edhe shumë punë për t’u bërë por nuk mund të pretendohet të ndërtohet një shërbim kompleks diplomatik i një shteti të ri vetëm për pak muaj. Duhen vite derisa ky shërbim dhe diplomacia e Kosovës të konsolidohet tërësisht.

Zëri i Amerikës: Kosovën deri tani e kanë njohur 55 vende të botës? Sa është i mjaftueshëm ky numër i njohjeve në vitin e parë të Kosovës si shtet?

Skënder Hyseni: Kosova nuk ka arsye të jetë e pakënaqur me numrin e arritur të njohjeve sidomos kur kemi parasysh shtetet që e kanë njohur Kosovën. Por, gjithsesi, nga këndi tjetër nëse shihet, ne nuk mund të jemi të kënaqur me këtë numër njohjesh sepse kemi nevojë për shumë më shumë njohje për të qenë në gjendje të aplikojmë për anëtarësim në organizata e ndryshme ndërkombëtare financiare e politike. Prandaj, njohjet e mëtejme mbeten një nga përparësitë kyçe të politikës së jashtme të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, jeni kritikuar për, siç thuhet, zvarritje në ngritjen e përfaqësive diplomatike të vendit. Ku ka ngecur procesi i ndërtimit të diplomacisë së Kosovës?

Skënder Hyseni: Nuk ka ngecje, dhe kritikat për zvarritje në këtë fushë janë totalisht të paqëndrueshme. Madje, ato ndonjëherë janë tepër të befasishme dhe unë kam përshtypjen që, ata që i bëjnë këto kritika, nuk janë të vetëdijshëm për kompleksitetin e shërbimit diplomatik të Kosovës, nuk janë të vetëdijshëm sesa e ndërlikuar është të themelosh një mision diplomatik, të përzgjedhësh një ambasador. Ndonjëherë dëgjohen kritika edhe nga ata që kanë aprovuar ligje dhe nuk janë të vetëdijshëm për ligjet që vet i kanë votuar në parlament, apo për procedurat tepër të ngadalta të përzgjedhjes së ambasadorëve. Unë personalisht mendoj se përzgjedhja e ambasadorëve përmes konkursit nuk është ideja më e mirë e mundshme, mirëpo janë ligje që janë votuar në parlamentin e Kosovës dhe ne, si ministri, do t’i zbatojmë në përpikëri të gjitha ligjet dhe dispozitat ligjore. Janë themeluar dhjetë misione diplomatike, janë në proces e sipër edhe tetë të tjera dhe shumë shpejtë ne do të vendosim edhe për katër a pesë misione të tjera diplomatike, dhe nëse arrijmë që për një vit, nga dita e themelimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të themelojmë njëzet e dy misione diplomatike të Republikës së Kosovës në botë, jo që nuk është zvarritje e këtij procesi, ngecje jo se jo, por sukses i jashtzakonshëm, sukses që do ta dëshironin edhe vendet e konsoliduara kohë të gjatë.

Zëri i Amerikës: Beogradi ka varur shpresat në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila duhet të japi opinionin e saj për pavarësinë e Kosovës. Ku jeni ju me përgatitjet tuaja për këtë gjykatë?

Skënder Hyseni: Se çfarë janë pritjet e Republikës së Serbisë në këtë gjykatë është çështje e Serbisë. Ne nuk varemi në veprimet tona nga çfarë bën Republika e Serbisë, ne udhëhiqemi nga interesat e vetë Kosovës dhe interesi i Kosovës është që ta paraqesë rastin e vet në këtë gjykatë më mënyrë të gjithanshme, dhe ne besojmë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në fund do të dalë me një gjykim i cili është në favor të së drejtës, dhe e drejta në këtë rast është tek populli i Kosovës për të qenë i lirë dhe i pavarur. Dhe, çështja e pavarësisë së Kosovës dhe çështja e njohjes së kësaj pavarësie nga vendet e ndryshme të botës është çështje që ekskluzivisht u rezervohet liderëve politik dhe vendimeve politike. Nuk është çështje ligjore, nuk është çështje që ka të bëjë me aspekte të ndryshme të ligjshme ose jo të ligjshme, është çështje e vullnetit të një populli për të qenë i lirë dhe i pavarur, çështje e të drejtës së atij populli për të qenë i lirë dhe i pavarur, dhe gjithsesi që Kosova me shumë çka e ka merituar dhe e meriton pavarësinë e saj. Unë nuk do të them më shumë sepse janë çështje delikate që kanë të bëjnë me paraqitjen e rastit në gjykatë dhe nuk duam të rrezikojmë të deklarojmë çfarëdo qoftë që do ta dëmtonte procesin e Kosovës në këtë Gjykatë.

Zëri i Amerikës: Pa dyshim se, përveç shtimit të numrit të njohjeve për Kosovën, ministria juaj ka dhe punë të tjera. Cilat janë përparësitë që ju i keni vënë vetes në politikën e jashtme?

Skënder Hyseni: Punët janë të shumta, përpos njohjeve është ndërtimi i mëtejmë i strukturës së brendshme dhe të jashtme të diplomacisë kosovare, pra edhe ndërtimit të brendshëm të ministrisë por edhe ndërtimit të rrjetit diplomatik e konsullor të Kosovës. I kemi vërë vetes objektiv të fuqishëm funksionalizimin e misioneve konsullore të Republikës së Kosovës më së largu deri në fund të këtij viti. Duam që konsullatat e Republikës së Kosovës të mund të ofrojnë shërbime për qytetarët e vet në të gjitha vendet ku kemi një prani më të ndjeshme të qytetarëve të Kosovës. Objektiv tjetër është identifikimi i një varg marrëveshjesh ndërkombëtare, qoftë bilaterale qoftë multilaterale, dhe traktatesh ndërkombëtare të cilat Kosova synon t’i ratifikojë, përkatësisht t’i trashëgojë me automatizëm ose nga UNMIK-u ose nga Ish Jugosllavia, por, gjithsesi është një punë komplekse identifikimi i të gjitha atyre traktateve dhe institucionalizimi përmes formash të ndryshme ose trashëgimisë së drejtpërdrejtë automatike, ose rinegocimit me vende të ndryshme. Pastaj, shumë shërbime të tjera që ofron çdo ministri e jashtme në çdo vend për misionet e huaja diplomatike të akredituara në Kosovë, nga ofrimi i imuniteteve diplomatike dhe privilegjeve të tjera dhe natyrisht që gama e punëve dhe detyrave që kryen një ministri e jashtme është shumë e madhe. Anëtarësimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare është një sektor tjetër parësor për punën e ministrisë së jashtme, pjesëmarrja e Kosovës në iniciativa të ndryshme qoftë rajonale apo më gjera, të gjitha këto janë përparësi.

Zëri i Amerikës: Një ndër përparësitë e punës së qeverisë së Kosovës është edhe procesi i integrimeve euroatlantike. Sa është larg Kosova nga Bashkimi Evropian?

Skënder Hyseni: Është vështirë të thuhet sa është larg, por unë jam i prirur të besoj se Kosova nuk është as më larg e as më afër se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor, madje, ndonjëherë jam i prirur të mendoj se Kosova është në një situatë më të avancuar përsa i përket përafrimit me kriteret e Bashkimit Evropian. Kosova ka vite që gjatë miratimit të legjislacionit në Parlament aplikon standarde evropiane. Pothuajse çdo ligj duhet të ketë edhe certifikatën e harmonizimit me legjislacionin evropian, dhe kjo në shumë aspekte e bën Kosovën që të jetë më afër në disa rrafshe me kriteret që i përcakton Komisioni Evropian i Zgjerimit sesa vendet e tjera. Gjithsesi,Kosova qëndron fuqishëm në bindjen e saj dhe pozicionin se të gjitha vendet e Ballkanit duhet të integrohen pak a shumë në të njëjtën kohë dhe gjithsesi, Kosova nuk guxon të izolohet nga qasja e përgjithshme e Komisionit Evropian për Zgjerim që ka në Ballkanin Perëndimor. //ek

XS
SM
MD
LG