Lidhje

Badi Holli - një ndër legjendat e muzikës amerikane


Njerëz nga mbarë bota u mblodhën pak javë më parë në qytetin e vogël Ludok të Teksasit, për të kujtuar kant-autorin Badi Holli,i cili vdiq 50 vjet më parë. Ndikimi i tij tek muzika pop vazhdon të ndjehet edhe sot. Në vazhdim ju njohim me jetën dhe karrierën e Badit, si dhe me albumin e ri të kompanisë Decca, ku përfshihen 3 CD të artistit, të hedhura në treg me titullin Koleksioni Përkujtimor i Badi Hollit.

Badi Holli ishte një ndër muzikantët më novatorë dhe prodhimtarë të fundit të viteve '50.

Vdekja e tij në shkurt 1959 në një aksident ajror, së bashku me muzikantin Valens dhe artistin The Big Bopper mbeti në histori si "dita kur vdiq muzika."

Holli nuk është vetëm personi më i njohur i këtij qyteti të vogël, por frymëzim për muzikantët në të gjithë botën.Këngët e tij shoqëroheshin nga kitara elektrike dhe kishin një ritëm të fortë xhezi që i bënte shumë popullore për rininë.

Ditët e fundit adhuruesit e tij u mblodhën në Qendrën Badi Holli për të përkujtuar 50-vjetorin e vdekjes së tij. Kishte mes tyre adhurues nga Britania dhe Australia, ku Holli vazhdon të jetë popullor edhe për breza që kanë lindur pas vdekjes së tij. Phil dhe Caroline Jenkins kanë ardhur nga Anglia, pasi Caroline është adhuruese e Hollit.

Phil-i thotë se kishte mbetur i çuditur nga fakti që Badi nuk kujtohet me të njëjtin entuziazëm edhe në Amerikë, ku shumë njerëz, thotë ai, nuk ia dinë as emrin.

Në qytetin Ludock, ku Badi kaloi fëmijërinë dhe është varrosur, atë e kujtojnë ata që e kanë njohur si dhe vëllezërit e tij Trevis dhe Leri:

" Vinte dhe më pyeste: "çfarë mendon për këtë këngë?" dhe unë i thoja "Duket si këngë e mirë, pasi nuk kisha çfarë të kritikoja, megjithëse jam vetë kritik muzike."- thotë ai

Xhek Nil ishte muzikanti i parë që e shoqëroi Badin në një interpretim në radio, shumë kohë para se të merrte famë:

" Më thoshte se donte që njerëzit të mësonin kush ishte. Paratë e tërhiqnin, por mbi të gjitha donte që të merrte emër." - thotë ai

Në ekspozitën në qytetin e tij, vizitorët mund të njihen me vitet e para të lindjes së muzikës rok dhe të shohin koncertin e fundit të Badi Hollit.

Megjithëse vdiq në moshën 22-vjeçare, Badi Holli pati ndikim të madh tek Bitellsat, Rolling Stones si dhe grupe të reja që lindin gjysmë shekulli pas vdekjes së tij.//mm//

XS
SM
MD
LG