Lidhje

SHBA, protestë ndaj Pekinit për një incident në detin e Kinës Jugore


Qeveria amerikane protestoi ndaj Kinës për një incident detar gjatë të cilit 5 anije kineze iu afruan një anije të marinës amerikane në detin e Kinës së Jugut.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes thotë se anijet kineze vepruan në mënyrë të rrezikshme dhe joprofesionale duke kryer manovra të rrezikshme pranë anijes amerikane.

Zyrtarët amerikanë thonë se anija amerikane, një anije survejimi e paarmatosur, ishte me një mision rutinë në ujrat ndërkombëtare kur u rrethua nga anijet kineze dhe u urdhërua të largohej. Në njoftim thuhet se gjysma e ekuipazhit prej 50 vetësh të anijes janë civilë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs tha se diplomatët amerikanë protestuan ndaj këtij veprimi. Zëdhënësi tha se anijet e marinës amerikane do të vazhdojnë të veprojnë në këto ujra ndërkombëtare dhe se zyrtarët amerikanë presin që pala kineze të respektojë ligjin ndërkombëtar.

Sipas disa njoftimeve, anija amerikane po transportonte pajisje sonare për të vëzhguar lëvizjet e nëndetësve kineze. Pekini deri tani nuk ka bërë komente. //ek

XS
SM
MD
LG