Lidhje

Presidenti Obama heq kufizimet mbi kërkimet për qelizat embrionale


Presidenti Barak Obama hoqi kufizimet mbi fondet federale për kërkime mjekësore që përdorin qeliza të embrioneve njerëzore. Korrespondentja Paula Wolfson njofton se zoti Obama thotë se ky hap merret në kuadër të përpjekjeve për të kufizuar ndikimin e politikës tek shkenca:

Ndryshe nga qelizat e trupit të një të rrituri, që kanë funksione specifike, qelizat embrionale nga embrione të sapo-krijuara kanë aftësinë të shndërrohen në çdo ind të trupit. Shkencëtarët thonë se qelizat embrionale përmbajnë në vete premtimin e kurave mjekësore për sëmundje dhe probleme të shëndetit që nga diabeti e deri tek paraliza.

Por kundërshtarët e kësaj mase thonë se ky proces, që kërkon shkatërrimin e embrioneve njerëzore, është i pamoralshëm dhe përbën në fakt shkatërrimin e jetës njerëzore.

Në vitin 2001, presidenti i atëhershëm amerikan Xhorxh Bush caktoi një nivel tavan për fondet që i dedikoheshin kërkimeve me qeliza embrionale. Presidenti Obama thotë se ky ishte një hap i gabuar dhe bazohej në atë që ai e cilëson si një zgjedhje të trilluar mes shkencës së mirëfilltë dhe vlerave morale.

“Në këtë rast, nuk mendoj se të dyja këto çështje përjashtojnë njëra-tjetrën. Unë vetë si person që besoj tek Zoti, mendoj se është detyra jonë të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe të përpiqemi të lehtësojmë vuajtjet e njeriut. Unë besoj se ne jemi krijuar me aftësitë dhe vullnetin për të zhvilluar këto kërkime shkencore dhe me ndjenjat humane dhe ndërgjegjen për ta realizuar këtë në mënyrë të përgjegjshme.”

Presidenti nënshkroi një urdhëresë ekzekutive për të hequr kufizimet gjatë një ceremonie të zhvilluar të hënën në Shtëpinë e Bardhë, ku morën pjesë shkencëtarë, aktivistë për të drejtat e pacientëve dhe anëtarë të Kongresit.

Presidenti nënshkroi gjithashtu një memorandum që synon të mbrojë shkencën nga ndërhyrjet politike.

Kjo masë u përshëndet nga Dr. Irving Weisman i Universitetit Stanford, një shkencëtar pionier në kërkimet me qeliza embrionale.

“Administrata e Presidentit Bush vuri në zbatim kërkesa politike që theksonin se nuk mund të kryheshin disa lloje studimesh si rezultat i përplasjeve politike, ideologjike si dhe fetare. Kjo është e paparë në historinë e shkencës amerikane."

Por kritikët e këtij vendimi thonë se ekzistojnë alternativa të tjera për shkencëtarët, pa pasur nevojë të shfrytëzojnë qelizat embrionale të embrionëve.

David Prentice i Këshillit Kërkimor për Familjen sjell si shembull përpjekjet e reja për të transformuar qeliza nga trupi i një të rrituri në mënyrë që ato të përftojnë cilësitë e qelizave embrionale.

“Shfrytëzimi i embrionëve bazohet në shkencën e prapambetur si dhe në parametra të dobëta të shëndetësisë. Faktikisht janë qelizat nga trupi i një të rrituri që po i ndihmojnë pacientët aktualisht.”

Në komentet e tij kur njoftoi masën e re, Presidenti Obama tha se qeveria do të mbështesë kërkime premtuese të të gjitha formave. Ai tha se është momenti që të kompensohet koha e humbur.

Karl Robb, i prekur nga sëmundja e Parkinsonit që dëmton sistemin nervor, i përshëndet këto përpjekje: “Këto përpjekje do t’u japin mundësi shkencëtarëve më të mirë të bëjnë atë që duhet, që s’është bërë për një kohë të gjatë.”

Njoftimi i Presidentit nuk paraqiste zgjidhje për një tjetër problem të ngjashëm, për të anuluar apo jo vendimin për ndalimin e fondeve federale për kërkime me vetë embrionet njerëzore. Ky vendim, i vënë në zbatim nga Kongresi, nuk lejon përdorimin e fondeve nga taksat për të krijuar embrione njerëzore në laborator.//rd//


XS
SM
MD
LG