Lidhje

Policia e Orlandos përdor teknologjinë e re në operacionet e saj


Teknologjitë më të fundit të zhvilluara me qëllimin për t’u përdorur në luftra kanë filluar të përdoren në operacione policore në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. Departamentet e policisë thonë se teknologjia e zhvilluar ndihmon në shumë aktivitete si ato të përgjimit pa i vënë autoritetet në rrezik. Për shembull, robotët kanë nisur të përdoren nga Njësitet e Forcave Speciale dhe Taktike, Suat, në shumicën e qyteteve të mëdha amerikane për të ulur numrin e viktimave. Në materialin në vazhdim, bëhet fjalë se policia në Orlando të shtetit të Floridas, po përdor një sërë pajisjesh nga më të fundit të teknologjisë për të luftuar krimin.

Ky quhet roboti Negociuesi. Rreshteri Mark Kanti në krye të ekipit special Suat në Orlando, e drejton këtë robot me telekomandë. Në ekran ai mund të shohë pamjet që transmetohen nga kamera e këtij roboti.

“Kjo pajisje na ndihmon me informacione që na duhen se ku po hyjmë me ekipet tona dhe ç’na pret në vende të ndryshme”.


Prodhuesi i robotit Negociuesi po kështu furnizon ushtrinë amerikane me robotë. Roboti mund të ngjisë shkallët, të dërgojë pako të vogla dhe të përgjojë, të gjitha këto aspekte shumë të rëndësishme për punën që bën policia.

Policia e Orlandos ka dy robotë të tjerë në arsenalin e vet, përfshirë edhe një kamera e cila mund të hyjë nëpër godina para forcave të policisë.

Por disa pajisje kërkohen më shumë sesa të tjerat. Ky mjet përgjimi është një nga më të përdorurit nga ekipet special Suat të policisë së Orlandos, ndërsa ky mjet që ka formën e një topi tenisi mund të transmetojë pamje 360 gradë të ambjentit që ka përreth. Ky i fundit është përdorur edhe nga ushtria izraelite.

Oficeri i ekipit Suat, Xhon Uarshom thotë se të paktën një pajisje e teknologjisë së lartë, përdoret në rreth 25% të operacioneve të ekipeve të policisë.

“Përdorimi i teknologjisë në kohën e duhur, në momentin e duhur do të ketë një rol kyç për zbatimin e efektshëm të fuqisë së këtyre pajisjeve”.

Ekipet speciale Suat dërgohen në vendngjarje në situata në rrezik të lartë. Siç thotë FBI-ja, 57 oficerë policie u vranë qëllimisht në vitin 2007 dhe tre prej tyre bënin pjesë në ekipet Suat.

“Zakonisht kur shkojmë në vendngjarje aty ka pasur njëfarë dhune, janë përdorur armë zjarri ose kemi informacione se atje ndodhen armë”.

Oficerët e policisë njihen rregullisht me teknologjitë e reja. Kjo kufje për shembull arrin të kuptojë se çfarë po flet dikush duke lexuar lëvizjet e nofullës. Prodhuesit e kësaj pajisje ia shesin atë një sërë agjencish të sigurisë civile si dhe njësiteve ushtarake.

“Ia shesim FBI-së, Shërbimit Sekret, Operacioneve Speciale për ushtrinë, Beretave Jeshile, Marinarëve. Në kohët e sotme ka ardhur koha që të jemi një hap përpara me teknologjinë”,thotë Dejvid Henël nga kompania Invisio.

Por rreshteri Kanti thotë se teknologjia mund të ketë anët e saj negative. Siç thotë ai, përdorimi i pajisjeve të reja ndonjëherë ngadalëson operaconet e ekipit të tij dhe nuk mund të zëvendësojë aftësitë njerëzore.

“Besoj se duhet ta shohim teknologjinë si një mjet shtesë. Na ndihmon ta bëjmë më mirë punën tonë, por prapë kemi nevojë për oficerë të mirë për të përdorur këto pajisje”.

Ai po kështu thotë se personat e dyshuar për krime mund të përpiqen të çarmatosin një robot dhe ky është një shqetësim kryesor për Institutin Kombëtar për Shkencë dhe Teknologji.

Megjithatë Departamenti i Policisë së Orlandos ka shpenzuar dhjetëra mijëra dollarë në teknologjinë më të fundit për t’i ardhur në ndihmë ekipeve Suat. Oficerët parashikojnë se do të vazhdojnë të bëhen investime në këtë fushë, që ata shpresojnë se mund ta bëjnë punën e tyre më të sigurt. //ek

XS
SM
MD
LG