Lidhje

Kukulla Barbi feston 50-vjetorin


Megjithëse e fsheh shumë mirë moshën, Barbi mbushi sot 50 vjeç. Ajo u krijua në vitin 1959 nga Ruth Handler, një ndër themelueset e kompanisë së lojrave Matel, dhe u prezantua në një panair lodrash në Nju Jork, ku u prit pa shumë entuziazëm. Në fund të viteve '50 Barbi përfaqësonte një kukull që ndryshonte shumë nga kukullat e tjera në treg.

"Në atë kohë në treg nuk kishte kukulla 3-dimensionale për vajzat e vogla. Por krijuesja e Barbit, Ruth Handler nuk hoqi dorë derisa Barbi u bë ajo që shohim sot, një frymëzim për vajzat e të gjitha moshave," thotë Stefani Kota e departamentit të marketingut në kompaninë Matel.

Megjithëse jo fort e mirëpritur në fillim, pas reklamave televizive, Barbi u bë një sukses i garantuar.

Me rastin e 50-vjetorit të Barbit, kompania Matel ka krijuar një kukull të re, e cila ashtu si kukulla e parë është e veshur me një kostum banje me vija bardh e zi.

Ashtu si për çdo njeri që kujdeset për pamjen e jashtme, edhe për Barbin paraqitja kërkon kohë dhe përkushtim. Mbi 100 vetë angazhohen për ta përgatitur për treg një kukull Barbi. Siç shpjegon Evelyn Viohl, nënpresidente e departamentit të dizenjos për Barbin, suksesi i kësaj kukulle varet nga detajet.

"Për ngjyrën e lëkurës përdorim 13 nuanca të ndryshme, ndërkohë që kemi 25 stilistë për flokët dhe fytyrën që të realizojmë të gjitha paraqitjet e ndryshme të Barbit, ngjyrën e syve, të kuqin e buzëve, nuancat e tualetit. Zgjedhim më pas nga 58 nuanca të ngjyrës së flokëve. Një pajisje e posaçme përdoret për të ngulur flokët, në mënyrë që stilistët të kenë mundësi t'i japin asaj stile të ndryshme frizure. Është shumë interesante të shohësh transformimin e një kukulle të thjeshtë në një produkt shumë të modës, ku është treguar kujdes i veçantë."

Përgatitja përfshin deri në 3 orë kohë vetëm për të bërë tualetin e kukullës. Por pavarësisht nga procesi kërkues, dizenjatori Robert Best thotë se krahasuar me supermodelet, Barbi është kliente e përsosur:

"Unë kam mundësi të punoj në aspektet më interesante të punës sime krijuese dhe punoj me një kliente që nuk ankohet kurrë."

Stefani Kota e departamentit të marketingut në kompaninë Matel thotë se për 50 vjet Barbi ka mishëruar gjithmonë prirjet më moderne:

"Nëse shohim çdo dekadë që nga vitet '50 e deri në shekullin e 21-të dhe shohim kukullat Barbi, është e qartë se ato gjithmonë pasqyrojnë modën dhe kulturën e kohës."

Barbi ka evoluar me lëvizjen për emancipimin e gruas. Që nga momenti kur u hodh në treg, ajo ka pasur 108 profesione të ndryshme, përfshirë astronaute, këngëtare roku madje edhe kandidate për presidente.

Në ditëlindjen e saj, Barbi do të festojë në shtëpinë e saj të re në lagjen Malibu të Los Anxhelosit, që u hodh në treg së bashku me kukullën në këtë përvjetor historik për Barbin. //ad//

XS
SM
MD
LG