Lidhje

Kriza globale ka shkaktuar humbje që kapin 50 trilion dollarë


Banka Aziatike për Zhvillimin tha se kriza ekonomike globale ka shkaktuar humbje që kapin 50 trilion dollarë në të gjithë botën.

Presidenti i bankës, Haruhiko Kuroda tha dje se kriza e tanishme është më seriozja që ka parë bota që nga Depresioni i Madh. Zoti Kuroda beson se Azia do të jetë një ndër rajonet e para që do të dalin nga kriza dhe do të jetë më e fortë se më parë.

Një tjetër notë alarmi u dha nga investuesi miliarder Uoren Bafit, i cili tha se ekonomia amerikane ka rënë në humnerë. Zoti Bafit i bëri thirrje Kongresit amerikan të bashkohet rreth Presidentit Barak Obama, duke e krahasuar krizën e tanishme me një konflikt ushtarak që ka nevojë për një komandant suprem.

Por kreu i Bankës Qendrore Europiane, Zhan Klod Trishe dha një vlerësim më optimist. Ai tha se shikon shenja që ekonomia globale po i afrohet pikës ku mund të fillojë ngritja.

Trishe tha se investitorët skeptikë nuk po u kushtojnë rëndësinë e duhur ndryshimeve që mund t’i japin shtytje aktivitetit ekonomik, si për shembull rënia e çmimeve të mallrave të konsumit, paketa qeveritare e stimulimit dhe shkurtimet e shumta të interesit.

Nga ana e saj, Banka Botërore thotë se ekonomia botërore mund të tkurret në vitin 2009, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në një studim të publikuar të dielën, Banka tha po ashtu se pritet që tregtia botërore të pësojë rënien më të madhe në 80 vjetët e fundit. //ii

XS
SM
MD
LG