Lidhje

Baiden në Bruksel, pas takimeve të ngjashme të Sekretares Klinton

  • Lisa Briant

Nënpresidenti Xho Baiden bisedon sot në Bruksel me aleatët e NATO-s, në suazën e përpjekjeve të Uashingtonit për të marrë një mbështetje më të madhe nga europianët për Afganistanin. Mes çeshtjeve që do të diskutohen mund të jenë edhe sistemi amerikan për mbrojtje nga raketat si dhe marrëdhëniet me Rusinë:

Vizita e nënpresidentit Xhozef Baiden në Bruksel pason takimet e ngjashme para disa ditësh mes anëtarëve të NATO-s dhe Sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klinton.

Po ashtu ky takim mbahet vetëm disa javë para pjesmarrjes së Presidentit Barak Obama në samitin e Aleancës ndëratlantike që do të mbahet në fillim të muajit prill në Francë dhe në Gjermani.

Pritet që çështja e Afganistanit të jetë tema kryesore e rendit të ditës gjatë bisedimeve të sotme në selinë e NATO-s. Administrata Obama po forcon praninë ushtarake amerikane në Afganistan me 17 mijë trupa shtesë dhe Uashingtoni po kërkon më shumë përkrahje nga Europa skeptike.

Analisti Tomas Valasek i Qendrës për Reformat Europiane me bazë në Londër, thotë se vendet europiane mund të mos jenë të gatshme të ofrojnë më shumë përkrahje pa një strategji të qartë se si do të frenohet kryengritja në rritje në Afganistan dhe instabiliteti në Pakistanin fqinjë.

“Ekzistojnë ende disa pyetje të mëdha dhe të hapura si: A do të bisedojmë apo jo me Talibanin? Çfarë do të bëjmë me Pakistanin, ku situata duket se ka ndryshuar nga keq në shumë keq? Si mund të mënjanojmë vrasjen e vazhdueshme të civilëve e cila po dëmton kredibilitetin dhe përkrahjen e forcave të NATO-s në Afganistan? Për të gjitha këto pyetje, europianët do të dëshirojnë të marrin përgjigje të qarta nga zëvendës-presidenti.”

Pyetjet e tjera të tyre kanë të bëjnë me planet për të vendosur një mburojë antiraketë në Poloni dhe në Republikën Çeke. Administrata Obama duket më pak entusiaste ndaj këtij projekti se sa administrata e ish Presidentit Bush, por zoti Valesek thotë se anëtarët e tjerë të NATO-s gjithnjë e më shumë po e shikojnë planin për mbrojtjen nga raketat si një alternativë.

“Aleanca e ka thënë në shumë raste se po shqyrton një lloj mënyre të mbrojtjes territoriale ndaj sulmeve me raketa dhe ka përmendur konkretisht programin amerikan për mbrojtjen nga raketat si një shtyllë kurrizore për një sistem të ardhshëm të NATO-s për mbrojtjen kundër raketave.”

Zoti Baiden mund të flasë për mundësinë e një bashkëpunimi më të madh me Rusinë në Afganistan. Javën e kaluar, NATO-ja ra dakord të rifillojë lidhjet zyrtare me Moskën, të cilat u ndërprenë pas konfliktit të shkurtër ushtarak të Rusisë me Gjeorgjinë në fund të muajit gusht.//ap

XS
SM
MD
LG