Lidhje

Gjendja e sistemit bankar mund të përkeqësohet më tej


Tregues të tjerë paralajmërues venë në dukje se gjendja e sistemit bankar mund të përkeqësohet më tej. Sipas një raporti humbjet e bankave mund të kapin nivele të papara në 80 vjetët e fundit.

Gjigandi bankar zviceran UBS tha se vitin e kaluar ka pësuar humbje më të mëdha se sa kishte parashikuar dhe se rreziqet edhe për këtë vit janë të larta, për shkak të ekspozimit ndaj investimeve të këqija.

Banka USB thotë tani se gjatë 2008 humbi 18 miliardë dollarë, shifra më e lartë kjo për një firmë zvicerane.

Ndërkohë sipas një raporti të Bankës Gjermane, shumë banka të tjera janë ende në rrezik për shkak të huave të këqija.

Bursat në shumë vende u ngritën dje pas njoftimit të bankës amerikane Citigroup, se deri tani, për 2009, ajo ka dalë me fitime.

Citigroup, banka më e madhe në botë, ishte goditur rëndë nga kriza ekonomike. Kjo bankë ka marrë 45 miliardë dollarë borxhe nga paketa stimuluese e qeverisë amerikane

Numri i amerikanëve që po humbasin shtëpitë, në rritje

Sipas shifrave të një firme informacioni për shit-blerjet e pasurive të patundshme, numri i shtëpive që i janë kthyer në pronësi bankave u rrit 67 përqind në shkurt, krahasuar me një muaj më parë.

Raporti thotë gjithashtu se pati 121 mijë e 756 shtëpi që u konfiskuan nga bankat muajin e kaluar, numri më i madh ky, që kur filloi kriza financiare.

Muajin e kaluar presidenti Barak Obama bëri të njohur një plan prej 75 miliardë dollarësh për të ndihmuar gati 9 milionë amerikanë që nuk i përballonin dot pagesat mujore. Disa pronarë po përfitojnë nga interesat e ulta të huave të shtëpive.

Një grup i kësaj industrie, Shoqata e Bankave të Huave thotë se kërkesat për kredi u rritën 11 përqind javën e kaluar, pjesërisht për shkak të rritjes së numrit të amerikanëve që po rifinancojnë huatë e mëparshme me interesa më të ulta.


.

XS
SM
MD
LG