Lidhje

DASH: Kritikat e mediave ndaj Sekretares Klinton, të padrejta


Departmenti i Shtetit i quajti të padrejta dhe të pasakta kritikat e disa komentatorëve të gazetave amerikane, sipas të cilëve Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, nuk i ka dhënë rëndësi çështjeve të të drejtave të njeriut gjatë dy udhëtimeve të saj të para jashtë shtetit. Zonja Klinton do të takohet sot me homologun kinez, Jang Jieçë me të cilin pritet të diskutohet edhe çështja e Tibetit. Njofton nga Departamenti i Shtetit, korrespondenti Dejvid Gollast.

Departamenti i Shtetit hodhi poshtë në mënyrë të prerë kritikat e komentatorëve ndaj Sekretares Klinton, sipas të cilëve, ajo ka ulur rëndësinë e çështjeve të të drejtave të njeriut gjatë dy udhëtimeve të saj të para jashtë vendit në cilësinë e kryediplomates. Gjatë një komenti të publikuar dje, e përditshmja amerikane, Uashington Post, e akuzonte zonjën Klinton se ajo po zhvlerëson traditën amerikane në mbrojtje të të drejtave të njeriut duke minimizuar shqetësimet mbi to, gjatë vizitave të fundit në Kinë, Egjipt dhe Turqi, vende të cilat janë ndeshur me kritika të vazhdueshme në raportet e përvitshme mbi të drejtat të Departamentit të Shtetit.

Komenti i së përditshmes amerikane vinte në dukje deklaratat e zonjës Klinton gjatë udhëtimit të muajit të kaluar në kontinentin aziatik, ku ajo tha se, “shqetësimet mbi të drejtat e njeriut nuk mund të ndërhyjnë në dialogun amerikano-kinez mbi ekonominë, sigurinë dhe ambjentin”.

Sipas gazetës, kjo deklaratë bie ndesh me përpjekjet e vetë Departamentit që ajo drejton në lidhje me Egjiptin dhe Turqinë, pasi zonja Klinton nuk vuri theksin mbi abuzimet me të drejtat të qeverisë egjiptiane apo sulmet ndaj mediave të qeverisë turke.

Duke folur me gazetarët, zëdhënësi në detyrë, Robert Ud, tha se është e padrejtë dhe e pasaktë të thuhet se zonja Klinton nuk ka pasur një qëndrim të palëvizshëm dhe të fortë ndaj çështjeve të të drejtave të njeriut.

Sipas tij, ish senatorja dhe zonja e parë Klinton, ka mbrojtur të drejtat e njeriut gjatë gjithë karrierës së saj dhe ajo foli qartë mbi këtë gjatë vizitës në Pekin, ku mes të tjerash, tha zoti Ud, ajo kërkoi që takimi i saj me gratë aktiviste kineze të mbulohej nga mediat.

Zëdhënësi tha se Sekretarja është shumë e pakënaqur që nuk ka pasur përparim mbi të drejtat e njeriut në rajone si Tibeti dhe Bjellorusia.

Sipas tij, ajo beson se thjesht deklaratat që Amerika është e shqetësuar mbi të drejtat gjatë takimeve me homologët e huaj nuk garantojnë fryte dhe shtoi se zonja Klinton po studion mënyra të reja dhe krijuese për të ndikuar mbi gjendjen e të drejtave në Kinë dhe gjetkë.

"Do të vazhdojmë të vëmë theksin mbi respektimin e të drejtave. Por ne duam të jemi më produktivë se administrata e mëparshme. Dhe ngritja e zërit nuk garanton rezultate. Duhet të gjejmë mënyra për të përdorur mediat dhe elemente të tjera të shoqërisë që ato të ndikojnë në mënyrë pozitive për përmirësimin e situatës. Dhe Sekretarja Klinton ka mjaft interes për këto çështje”.


Zëdhënësi tha se pret që çështja e Tibetit të diskutohet gjatë takimit të Sekretares Klinton me homologun e saj kinez Jang Jieçë, takim që do të zhvillohet në 50 vjetorin e protestës së pasuksesshme kundër pushtimit kinez të Tibetit që detyroi largimin nga vendi të udhëheqësit shpirtëror tibetian, Dalai Lama.

Zëdhënësi tha se Shtetet e Bashkuara duan të shohin një dialog substancial mes qeverisë kineze dhe përfaqësuesve të Dalai Lamës çka, tha zëdhënësi, është mënyra më e mirë për të zgjidhur çështje prej kohësh të pazgjidhura.

Ai shtoi se pret që takimi të trajtojë edhe incidentin e së dielës gjatë të cilit, marina amerikane tha se një nga anijet amerikane të vrojtimit ishte provokuar nga anije kineze në ujrat ndërkombëtare në Detin e Kinës së Jugut.

Pritet që në takim të diskutohet edhe Koreja e Veriut dhe kriza ekonomike ndërkombëtare.

Zoti Jang do të takohet edhe me Sekretarin e Thesarit, Timoti Gaitner si dhe me zyrtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë para kthimit në atdhe ditën e enjte. //ek

XS
SM
MD
LG