Lidhje

BE vë në dyshim besueshmërinë e partneritetit Rusi-Ukrainë


Pas mosmarrëveshjes për gazin mes Rusisë dhe Ukrainës, Bashkimi Evropian po vë në pyetje përsëri besueshmërinë e Moskës si partner i qëndrueshëm energjitik. Qeveritë e BE-së sapo kishin vendosur të rifillonin bisedimet e partneritetit me Moskën të pezulluara për tre muaj pas luftës së shkurtër së Rusisë me Gjeorgjinë. Tani, si rezultat i mosmarrëveshjeve për gazin dhe nga frika mbi sigurinë energjitike, Bashkimi Evropian po bën një rivlerësim të marrëdhënieve me Moskën dhe ish vendet sovietike.

Mosmarrëveshja mes Rusisë dhe Ukrainës nxiti pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues. BE-ja ishte e dëshpëruar të furnizonte me gazin natyror rus qindra mijëra shtëpi në Evropë, të mbetura pa ngrohje gjatë një prej dimrave më të ftohtë prej vitesh. Por mosmarrëveshja ka shkaktuar edhe zemërimin evropian mbi konfliktin e fqinjëve i cili u përhap përtej kufijve të tyre.

Zyrtarët e BE-së kanë vënë në pyetje besueshmërinë e Rusisë dhe Ukrainës si partnerë të qëndrueshëm energjitikë. Presidenti i Komisionit të Bashkimit Evropian Zhoze Manuel Barroso madje ka sugjeruar të ngrejë padi kundër dy rivalëve.

“Dëshiroj t’u dërgoj një mesazh shumë të qartë Moskës dhe Kievit. Nëse ata nuk i përmbahen marrëveshjes së sponsorizuar nga BE-ja, atëherë komisioni do t’i këshillojë vendet e BE-së t’a ngrejnë këtë çështje në gjykatë.”

Lufta e shkurtër mes Rusisë dhe Gjeorgjisë gushtin e kaluar, i dëmtoi marrëdhëniet e BE-së me Moskën. Por pastaj, dhe deri kur Rusia ndali furnizimet me gaz, BE-ja donte t’i përmirësonte marrëdhëniet me Moskën. Deri në dhjetor të vitit të kaluar, qeveritë e BE-së i kishin rifilluar bisedimet e partneritetit me Rusinë.

BE-ja po ashtu u ofroi miqësi edhe gjashtë fqinjëve të tjerë lindorë: Armenisë, Azerbaixhanit, Bjellorusisë, Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Ukrainës. Bashkimi Evropian tha se donte të nxiste “qeverisjen e mirë, përparimin dhe stabilitetin” në rajon duke ofruar mundësinë e marrëveshjeve të partneritetit. Megjithëse nuk kishte oferta për anëtarësim në BE, zyrtarët e bashkimit e mohuan se Brukseli po përpiqej të zgjeronte sferën e tij të ndikimit.

“Lufta e Ftohtë ka mbaruar, dhe kur nuk ka një luftë të tillë, nuk duhet të ketë as sfera ndikimi. Ne jemi kundër idesë së sferave të ndikimit. Mendojmë se ky është kocept i gabuar i së kaluarës, sepse mendoj se çdo vend ka të drejtë të zgjedhë rrugën e vet.”

Të paktën për Gjeorgjinë, sipas kryeministrit Grigol Mgaloblishvili ndikimi i Evropës është i nevojshëm.

“Në këtë fazë, sigurisht që nuk flasim për anëtarësim, sepse e dimë që nuk jemi gati dhe Evropa nuk është gati për këtë. Por në këtë mënyrë ne shpresojmë të arrijë synimin tonë përmes modernizimit, forcimit të dmokracisë, të institucioneve demokratike dhe bashkëpunimit.”

Bashkëpunimi është i rëndësishëm edhe për Evropën thotë Niku Popesku, studiues në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Për një familje që jeton në një shtëpi, lagjia është shumë e rëndësishme për sigurinë e saj dhe të fëmijëve.”

Megjithëse BE-ja nuk ka qenë në gjendje ta ushtrojë ndikimin e saj në rajon, ajo megjithatë e ka një plan, thonë analistët.

“BE-ja përpiqet ndërtojë praninë ekonomike dhe politike, sepse në këtë mënyrë ajo do të jetë në gjendje të ndjekë një program më efikas demokracie tek fqinjët lindorë brenda 5-6 viteve.”

Një pyetje mbetet ende për Bashkimin Evropian tani: nëse do të jetë e mundur që ai të varet tek një rajon nga i cili ka nevojë për energji, por që shtrihet jashtë kufijve të tij. //iç//

XS
SM
MD
LG