Lidhje

Mjekët heqin 6 organe për të shpëtuar jetën e një vogëlusheje


Një vogëlushe 7 vjeçare është kthyer në shtëpi, duke marrë veten nga një operacion historik. Mjekët hoqën gjashtë nga organet e saj jetike për të arritur tek një tumor kanceroz. Pastaj i vendosën gjysmën e organeve përsëri. Ky operacion ishte i pari i këtij lloji për një fëmijë dhe hera e dytë që një operacion i tillë është kryer ndonjëherë.


Mjekët u kishin thënë prindërve të Hedhër Meknamarës se kanceri i saj ishte i paoperueshëm. Por më pas ata takuan doktor Tomoaki Kato në Spitalin Presbiterian të Nju Jorkut. Doktor Kato e kishte bërë një operacion të tillë më parë në Florida. Ai mendonte se shanset për sukses ishin të mira.

“Ne kishim shumë besim se mund të realizonim ne sukses këtë operacion. Por në të njëjtën kohë ne duam të jemi të përgatitur për gjithçka”.

Në shkurt, shtatë vjeçarja Hedhër iu nënshtrua operacionit për të hequr një tumor sa një top tenisi. Doktor Kato bashkëpunoi me tre ekipe kirurgësh për të hequr tumorin që ndodhej në mes të disa organeve jetike dhe enëve të gjakut.

"Ne hoqëm të gjitha organet e brendshme përfshirë mëlçinë, stomakun, pankreasin, zorrën e trashë dhe të hollë, si edhe shpretkën, pra të gjashta organet së bashku me tumorin krejtësisht jashtë trupit”.

Organet u shkëputën nga tumori dhe pastaj u vendosën përsëri në trupin e Hedhërit.

Meqenëse kanceri ishte përhapur, mjekët thanë se nuk mundën ta shpëtonin stomakun, pakreasin dhe shpretkën. Kështuqë ata krijuan një stomak nga indet e zorrëve. Por pa pankreasin, Hedher është tani diabetike dhe insulina është e domosdoshme për të.

Prindërit e Hedhërit ishin konsultuar me spitale nga Majami tek Filadelfia para se të takoheshim me Doktor Katon në Spitalin Presbiterian.

"Dua t’u them të gjithë atyre që kanë një problem shëndetësor, një fëmijë me probleme shëndetësore ---", thotë e ema e Hedhërit pa vazhduar dot nga emocionet.

Vogëlushja ia plotëson fjalinë... “Që ka shpresë”.

Mjekët do ta mbajnë nën vëzhgim Hedhërin për t’u siguruar që kanceri nuk do të kthehet. Por pavarësisht nga çështjet që mbeten, ata e konsiderojnë atë një mrekulli. //kk//

XS
SM
MD
LG