Lidhje

Komuniteti shqiptaro-amerikan në Nju Jork nderon Petrit Kupin


Komuniteti shqiptaro-amerikan po nderon kujtimin e Petrit Kupit, i cili u nda nga jeta të martën me 10 mars në një spital të Nju Jork-ut.

Petrit Kupi, i biri i Abaz Kupit, lindi në mars 1925 në Krujë, në një kohë kur Shqipëria po kalonte kohë të trazuara. Me pushtimin fashist te vendit në 1939, familja u internua nga italianët në Himarë dhe më pas u dërgua në Itali në burgjet e Brindizit. Pas lirimit, familja u kthye në Shqipëri, ku u angazhua në lëvizjen e Legalitetit kundër italianëve dhe më pas gjermanëve. Ky angazhim antifashist i familjes u shoqërua me fërkime me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe përplasje të hapura mes babait të Petritit, Abaz Kupi dhe Enver Hoxhës në takimin e Shëngjergjit.

Në prag të përfundimit të luftës, Petriti dhe vëllai tjetër Rustemi shoqëruan të atin në mërgim. Petriti jetoi 10 vjet në Australi dhe në vitet 60, iu bashkua të atit në Nju Jork.

Ndërsa ai, babai dhe vëllai Rustemi, morën rrugën e mërgimit, familja që mbeti në Shqipëri, u dergj burgjeve dhe kampeve të internimit. Petriti e vuante thellë tragjedinë që kishte rënë mbi pjesën e familjes që kishte mbetur në duart e komunisitëve.

Një jetë larg vendit, nuk ia shoi atij dashurinë për atdheun. Petriti la amanet që ta varrosnin në Shqipëri. Komuniteti shqiptar po i bën homazhe të premten dhe të shtunën, në Nju Jork, para se trupi të niset drejt Shqipërisë, për t'u varrosur në Krujë. Petrit Kupi, la pas bashkëshorten, Judy dhe dy djemtë, Abazin dhe Ademin.

XS
SM
MD
LG