Lidhje

Frid ngarkohet me transferimin e të burgorsurve të Guantanamos


Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton emëroi një diplomat të lartë amerikan dje për të ndihmuar në përshpejtimin e zbatimit të urdhërit të presidentit Obama për mbylljen e burgut në Gjirin Guantanamo brenda një viti. Daniel Frid, tani ndihmës sekretar shteti për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, mes tjerash, do të punojë për të bindur vende të ndryshme të pranojnë të burgosurit e Guantanamos. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dejvid Gollast njofton nga Departamenti i Shtetit.

Vendimi për të caktuar ndihmës sekretarin Frid, një nga diplomatët më të lartë në Departamentin e Shtetit për postin drejtues të çështjes së Guantanamos thekson përparësinë që administrata e zotit Obama i ka dhënë mbylljes së burgut kaq të debatuar.

Zoti Frid, ish ambasador amerikan në Poloni, ka punuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së presidentit Klinton.

Si ndihmës sekretar për Evropën gjatë administratës së presidentit Bush, zoti Frid ishte një figurë kryesore në ekzekutimin e politikës për Kosovën, sistemin e mbrojtjes nga raketat në Evropë dhe së fundi konfliktin një vjeçar mes Rusisë dhe Gjeorgjisë.

Gjatë njoftimit të emërimit në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit Robert Ud tha se përvoja e zotit Frid në Evropë do të jetë e vlefshme, meqenëse administrata po u kërkon vendeve evropiane, përveç të tjerëve, që të pranojnë të burgosurit e Guantanamos që nuk mund të kthehen në vendet e tyre.
Wood act

“Ndihmës sekretari Frid ka një përvojë të madhe bashkëpunimi me vendet e Evropës dhe vende të tjera rreth globit. Sekretarja e Shtetit mendoi se për ta bërë proçesin më të lehtë, na nevojitet një njeri që ka aftësi dhe vizion për ta bërë këtë. Prandaj ajo dhe të tjerët menduan se Dan Frid ishte zgjedhja e duhur për këtë detyrë.”

Administrata e presidentit Bush e hapi kampin e Guantanamos në vitin 2002 për të mbajtur të dyshuarit për terrorizëm, shumë prej të cilëve u kapën gjatë ndërhyrjes së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan.

Shumica e të burgosurve janë mbajtur pa akuza zyrtare dhe kampi ka qenë prej kohësh në qendër të kritikave nga grupet për të drejtat e njeriut dhe qeveritë e tjera.

Qindra vetë nga të burgosurit që mbaheshin fillimisht në kamp janë kthyer në vendet e tyre ose në vende të tjera. Megjithatë, në Guantanamo kanë mbetur ende edhe 250 të burgosur të tjerë. Zoti Frid do të përpiqet të gjejë vende që mund të pranojnë 60 ose më shumë të burgosur të cilët nuk do të përballen me akuza penale, dhe disa prej të cilëve mund të persekutoheshin nëse do të ktheheshin në vendlindjet e tyre.

Zoti Frid do të qëndrojë në postin e tij ku merret me çështjet evropiane deri sa personi i emëruar për ta zëvendësuar atë, ish ndihmësi i politikës së jashtme në administratën e presidentit Klinton, Filip Gordon, të konfirmohet nga senati.

Me çështjen e Guantanamos deri tani është marrë ambasadori për krime lufte në Departamentin e Shtetit Klint Uilliamson, i cili do t’i rikthehet detyrës së tij, sapo zoti Frid të marrë përsipër detyrën e re. //ap.

XS
SM
MD
LG