Lidhje

Një kimist zbulon sekretin e violinave Stradivari


Një shkencëtar në Teksas thotë se ka gjetur sekretin e violinave Stradivari dhe violinave të tjera të çmuara të krijuara 300 vjet më parë në Italinë e veriut. Ai mendon se i gjithë sekreti është te trajtimi i drurit me disa lëndë të caktuara kimike por disa dashamirë të muzikës e kanë të vështirë ta besojnë.

Profesori në pension i Universitetit A&M të Teksasit, Xhozef Nohvari () kishte dëshirë të mësonte violinën kur ishte fëmijë por Lufta e Dytë Botërore dhe ardhja në fuqi e komunistëve në Hungari, ku ai banonte, e bënë të parealizueshme ëndrrën e tij. Pasi iku nga Hungaria ai studioi kimi dhe mësoi të bënte vetë violina.

Duke analizuar violinat e Italisë veriore në vitet 60, ai gjeti se vetëm instrumente të tillë si ato të Stradivarit nga Kremona dhe disa të tjera të bëra në Venecia i kishin shpëtuar dëmtimit nga krimbi i drurit.

"Përfundimi që arrita ishte se në këta dy qytete dikush e trajtonte drurin me lëndë të caktuara kimike."

Nohvari filloi të testonte kimikate të ndryshme për të parë nëse ato ndikonin mbi tingullin e violinave që ai bënte vetë në punishten prapa shtëpisë së tij në Teksas. Por zbulimi i tij i më i madh erdhi pas bashkëpunimit të tij me kolegët e Departamentit të Gjeologjisë në Universitetin A & M të Teksasit.

Professor Rej Gillmet përdori për analiza një aparaturë të teknologjisë së lartë e cila testonte përbërjen kimike të substancave të ndryshme.

"Gjatë orëve kur aparatura nuk ishte në përdorim, gjatë natës apo fundjavave, mora leje nga departamenti për ta përdorur atë për zgjidhjen e këtij problemi shumë interesant."

Ai merrte pjesë shumë të vogla druri, të rëna nga violinat Stradivari kur ato riparoheshin, i digjte në laborator dhe pastaj analizonte hirin në aparat, duke zbuluar praninë e kimikateve si squfur, klor dhe boron.

"Këto lëndë nuk janë të pranishme në asnjë dru natyror dhe janë mjaft të dallueshme nga druri natyror."

Lëndë të tilla përdoren rëndom si kimikate për mbrojtjen e drurit dhe kjo e përforcoi teorinë e Profesor Nohvarit se duke trajtuar kimikisht drurin, mjeshtrat e vjetër italianë kishin prodhuar pa e ditur një instrument më të mirë.

Megjithëse shumë muzikantë e përshëndetën këtë studim, thotë Nohvarti, koleksionistët e instrumenteve antike nuk ishin aspak të kënaqur.

"Është më e lehtë të shesësh një violinë Stradivari për 5 milion dollarë kur i thua blerësit se ajo është produkt i një farë frymëzimi misterioz apo hyjnor."

Megjithëse studimi i tij ka marrë lëvdata në shkallë ndërkombëtare, bota e muzikës nuk ka treguar shumë entusiazëm, thotë profesori.

"Mund të them se me një ose dy përjashtime, thuajse e gjithë industria u shpreh shumë negativisht ndaj një shkencëtari si unë që përpiqej të bënte një studim të tillë."

Por Profesor Nohvari ka gjetur përkrahje entusiate nga shumë violinistë si pedagogu i muzikës Brajën Ljuis i Universitetit të Teksasit në Ostin. Ljuis pranoi të vinte në provë një prej violinave të krijuara nga Nohvari në punishten e tij.

"Ka një tingull të ëmbël dhe më pëlqen," u shpreh ai pasi e provoi violinën.

Por Ljuis nuk mund të thotë se kjo violinë e re teksane është po aq e mirë sa një violinë Stradivari sepse një instrument duhet të përdoret për shumë e shumë vite për të fituat potencialin e tij të plotë.

"Do të ishte shumë interesante të krahasohej se si do të tingëllonte një nga violinat e tij pasi të jetë përdorur 30 mijë orë sepse të gjitha violinat Stradivari janë përdorur për një kohë mjaft të gjatë deri sa janë staxhionuar".

Violinat e bëra nga Nohvarti dhe të tjerët duke përdorur teknikën e tij mund të arrijnë një ditë tonalitetin ideal si ato të Stradivarit dhe të tregojnë se nga kimia mund të lindë muzikë e famshme. //ad//

XS
SM
MD
LG