Lidhje

Obama optimist për perspektivën e rimëkëmbjes ekonomike


Presidenti amerikan Barak Obama dhe këshilltari i tij kryesor ekonomik po shprehin optimizëm të përmbajtur mbi perspektivën e një rimëkëmbjeje ekonomike. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klain nga Shtëpia e Bardhë, ata pranojnë se së pari duhet të tejkalohet frika e tepruar.

Këshilltari më i lartë ekonomik i presidentit Barak Obama, Lorens Samers, thotë se kriza financiare ka shkaktuar një frikë të tepruar, të cilës duhet t’i jepet fund në mënyrë që ekonomia të fillojë rikthimin e saj. Zoti Samers, drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar të presidentit, thotë se kriza u shkaktua nga babëzia e tepruar.

“Kemi parë shumë babëzi dhe shumë pak frikë, shumë shpenzime dhe pak kursime, shumë huamarrje dhe pak shqetësime. Sot, problemi ynë është i ndryshëm,”- tha ai.

Zoti Samers tha për Institutin Brukings në Uashington se cikli vicioz i frikës ka bërë që tregjet financiare t’i ngjajnë një orteku. Por ai e rikujtoi publikun se të gjitha krizat financiare marrin fund.

Zoti Obama thotë se ekonomia ende duhet të kalojë përmes një periudhe të vështirë, por ai thotë se Shtetet e Bashkuara janë në gjendje të rimëkëmben përsëri ekonomikisht me ndihmën e programeve stimuluese.

“Nëse përqendrohemi tek aspektet e shëndosha të ekonomisë sonë, tek të gjitha kompanitë që ende ekzistojnë, tek punëtorët, tek novacionet dhe dinamizmi i kësaj ekonomie, atëherë ne do të arrijmë t’ia dalim. Dhe unë kam besim për këtë,”- tha presidenti Obama.

Pasi u takua me këshilltarin ekonomik Pol Volker, ish kryetar Rezervës Federale, zoti Obama tha se administrata e tij po hedh themelet, siç tha ai, të një rritjeje ekonomike pas flluskës së mëparshme, e cila nuk do të rrezikojë të na çojë edhe njëherë në krizën e tanishme ekonomike.

“I ka ardhur fundi kohës kur ekonomia është rritur përmes një tregu të nxehur pasurish të patundshme apo ku njerëzit shfrytëzojnë në maksimum kartat e tyre të kreditit,”- tha ai.

Zoti Samers paralajmëroi se është tepër herët të parashikohet ndikimi më i gjerë i planit stimulues ekonomik prej 787 miliard dollarësh të presidentit Obama. Por ai shprehu optimizëm për prirjet e fundit në shpenzimet e konsumatorëve.

“Është paksa inkurajues fakti që shpenzimet e konsumatorëve në Shtetet e Bashkuara, të cilat ranë gjatë periudhës së festave, tani, në bazë të disa treguesve, duket se janë stabilizuar,”- tha zoti Samers.

Ndërkohë, Sekretari i Thesarit Timoti Gaitner u takua në Britani dje me ministrat e financave të 19 vendeve të tjera të pasura dhe atyre në zhvillim. Zoti Obama po u bën thirrje vendeve të Grupit të 20-shes të miratojnë programe të gjera stimuluese për të nxitur ekonomitë e tyre në rënie.

“Duhet t’i bashkërendojmë masat me vendet e tjera për t’u siguruar se ajo që po bëjmë në Shtetet e Bashkuara u korrespondon përpjekjeve jashtë vendit,”
-tha presidenti Obama.

Defiçiti tregëtar amerikan ra gjithashtu në janar në nivelin e tij më të ulët në 6 vjet. Kërkesa e amerikanëve për mallra të importuara pati një rënie më të shpejtë se sa kërkesa për eksportet amerikane. Kjo ishte rënia mujore e gjashtë me radhë rekord për defiçitin tregëtar.

XS
SM
MD
LG