Lidhje

SHBA zbut kufizimet për amerikanët që duan të shkojnë në Kubë


Kongresi ka rënë dakort të zbusë kufizimet për amerikanët që kërkojnë të shkojnë në Kubë për të vizituar familjet apo për qëllime biznesi. Përkrahësit e reformës janë të mendimit se ky është një hap i vogël drej hapjes së një debati për ndryshime në politikën amerikane ndaj Kubës.

Klauzolat për Kubën u futën në projekt-ligjin prej 410 milionë dollarësh që ligjvënësit miratuan të martën në mbrëmje.

Anëtari i Përfaqësuesi nga Nju Jorku Hoze Serrano formuloi masat ndaj Kubës duke thënë se ato synojnë të ndihmojnë fermerët amerikanë dhe familjet kubano-amerikane, të cilat tha ai janë dëmtuar nga kufizimet amerikane.

Projektligji i ri do të bllokojë financimet në Departamentin e Shtetit për të ndëshkuar kubano-amerikanët që shkojnë më shumë se një herë në tre vjet për të vizituar anëtarët e familjeve të tyre. Ai lehtëson gjithashtu rregullat për fermerët dhe furnizuesit e barnave mjekësore për të bërë udhëtime biznesi në ishullin komunist.

Xhejk Kolvin, Nënpresidenti i Këshillit Kombëtar për Tregëtinë me Jashtë që mbështet heqjen e sanksioneve ndaj Kubës, thotë se ndryshimi mund të ndihmojë fermerët të përfitojnë nga mundësitë në rritje në Kubë.

"Për të krijuar një ide, shitjet në 2008ën u rritën më shumë se 60 përqind krahasuar me 2007. Kështu që shitjet janë shtuar".

Por mbrojtësit e lehtësimeve për udhëtimet familjare në Kubë thonë se projektligji është pak më shumë sesa një fitore simbolike për ta.

Silvia Vilhelm, e cila u largua fëmijë nga Kuba, ka lobuar për ta ndryshuar rregullin e vitit 2004 që kufizon udhëtimet familjare në një çdo tre vjetë. Ajo thotë se projektligji i ri kërkon thjeshtë të bllokojë zbatimin e rregullores për udhëtimin dhe jo ta ndryshojë atë.

"Është një mënyrë e tërthortë për të thënë se jemi të lirë të udhëtojmë. Në fakt sipas këtij projektligji ne jemi të lirë të shkelim ligjin dhe kjo nuk është tamam ajo çfarë duam të bëjmë".

Zoti Vilhelm thotë se ndikimi i projektligjit do të shuhet pasi kompanitë që sigurojnë udhëtimet për në Kubë ende ndalohen të shesin bileta për njerëzit që nuk u lejohet të udhëtojnë.

Përkrahësit e politikave më të ashpra amerikane ndaj Kubës kundërshtojnë ndryshimet pjesërisht pasi ato mund të shihen si ndihmë për qeverinë kubane.

Drejtori i grupit të lobit për Kubën në Uashington, Mauricio Klaver-Karone thotë se klauzolat nuk i përkisnin projektligjit të shpenzimeve.

"Rishikimi i politikës së jashtme, politika ndaj Kubës nuk i përket këtij projektligji. Ky proces i gjatë e i zvarritur dërgon në fakt mesazhin se kjo nuk është mënyra për të zgjidhur këto çështje".

Të dyja palët janë dakort se projekligji hap rrugën për një debat të ri në Uashington nëse duhet reformuar embargoja disa vjeçare kundër Kubës.

Gjatë fushatës, zoti Obama shtoi shpresa e përkrahësve të reformës duke premtuar t'i japë fund kufizimeve të udhëtimit dhe duke kërkuar rrugë të reja për t'u angazhuar me Kubën. Sivlia Wilhelm thotë se ka në plan t'ja kujtojë presidentit premtimin e bërë.

"Ende shpresoj se presidenti Obama do ta mbajë premtimin. Në se nuk e mban, ky do tëjetë një zhgënjim i madh për komunitetin kubano-amerikan".

Zonja Vilhelm thotë se shpreson që presidenti të veprojë me shpejtësi gjatë javëve të ardhshme për të ndryshuar politikën ndaj Kubës para një takimi të nivelit të lartë të krerëve të shteteve amerikane muajin e ardhshëm në Trinidad dhe Tabago. //kk//

XS
SM
MD
LG