Lidhje

Studiuesit përparojnë në kërkimet për diabetin


Presidenti Barak Obama vendosi të lejojë përdorimin e fondeve federale për studimin dhe përdorimin e qelizave embrionale. Disa studiues kanë arritur tashmë përparim me qelizat embrionale të marra nga kordoni i kërthizës, të cilat nuk zgjojnë polemika, pasi nuk kërkojnë shkatërrimin e një embrioni. Një ekip studiuesish po përparon në kërkimet për t’i gjetur mjekim diabetit të tipit 1.

Në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Teksasit në Galveston, studiuesi Leri Dener punon me qeliza për t’i shndërruar ato në qeliza që prodhojnë insulinë. I përkulur mbi mikroskop, ai flet me entuziazëm për përparimin e arritur në shtimin e qelizave në laborator.

“I shohim qelizat dhe thjesht me të parë në mikroskop e kuptojmë nëse po shtohen.”

Këto studime janë shumë shpresëdhënëse për pacientë që vuajnë nga diabeti i tipit 1, si Pamela Felps.

“Që kur isha 15-vjeçe jam lutur që të gjendet një kurë ose të paktën mënyra më të mira për ta kuptuar dhe për t’u përballur me këtë sëmundje për ditë.”

Megjithëse kërkimet avancojnë me ritme të ngadalta, ajo thotë se shkencëtarët i kanë dhënë asaj shpresë për një të ardhme më të mirë.

“Ushqej shpresa, shumë shpresa, pasi pa shpresë ku do të isha? Do të kisha rënë në pesimizëm të plotë.”

Pacientë me diabet si Pamela Felps e përballojnë sëmundjen me injeksione të rregullta me insulinë për të kompensuar paaftësinë e pankreasit për të prodhuar hormone që rregullojnë nivelin e glukozës në trup. Pikërisht në këtë drejtim i ndihmon studiuesi Leri Dener i Qendrës Mjekësore të Universitetit Teksas:

“Mund të shohim nëse qelizat që kemi krijuar mund të prodhojnë insulinë. Kemi mënyra specifike për t’i kontrolluar, përmes mikroskopit dhe përmes antitrupave të posaçme që diktojnë qelizat që prodhojnë insulinë.”

Në kushte laboratorike, Dener dhe ekipi i tij kanë arritur të modifikojnë qeliza të kordonit të kërthizës në qeliza që prodhojnë insulinë.

“Protokolli i ndjekur është kopjuar nga procesi që ndodh në zhvillimin normal të pankreasit tek një embrion.”

Mjeku Dener thotë se heqja e kufizimeve për kërkimet me qeliza embrionale, do t’u shërbejë përpjekjeve të tij duke ofruar informacion më të gjerë mbi mënyrën si shndërrohen qelizat embrionale në qeliza organesh. Por ai thotë se kërkimet e tij do të vazhdojnë të bazohen tek qelizat e marra nga kordoni i kërthizës:

“Qelizat me të cilat punojmë janë marrë nga kordoni i kërthizës, i çfarëdo kordoni që mbetet pas lindjes së një foshnjeje kudo në botë. Ky kordon zakonisht hidhet si mbetje biologjike.”

Ai thotë se qelizat embrionale të marra nga kordoni i kërthizës mund të shndërrohen në një numër qelizash të tjera, por këto qeliza nuk kanë funksionet e një sistemi të plotë imunitar, gjë që mund të shkaktojë mospranimin e indit nga trupi.

Ka mundësi që në të ardhmen këto qeliza do të mund të krijojnë një pankreas të plotë që të transplantohet në pacientë me diabet. Por studiuesi Dener thotë se ai e ka përqendruar vëmendjen në periudhën afat-shkurtër për provat klinike me pacientë për të parë nëse qelizat e krijuara në laborator do të ndihmojnë personat që vuajnë nga diabeti. //kk//

XS
SM
MD
LG