Lidhje

OPEK-u pritet të reduktojë prodhimin e naftës për të nxitur rritjen e çmimeve

  • Xhef Seldin

Zyrtarët e lartë të OPEK-ut takohen të dielën në Vienë dhe pritet të marrin një vendim për të reduktuar prodhimin e naftës në mënyrë që të nxisin rritjen e çmimeve. Takimi do të ndiqet me vëmendje nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera industriale, ndërkohë që disa zyrtarë kanë paralajmëruar se reduktime të tjera mund ta mbajnë ekonominë edhe më gjatë në recesion. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Xhef Seldin njofton nga Uashingtoni.

Anëtarët e Opek-ut që po mblidhen në Vienë përballen me një vendim të vështirë. Shumë prej vendeve eksportuese të naftës do të donin të shihnin çmime më të larta. Por Ministri saudit i Naftës Ali al-Naimi thotë se recesioni global e bën këtë gjë të vështirë.

“Duhet të kuptojmë se ekonomia globale nuk është aq e shëndetshme sa duhet të ishte. Prandaj është e pritshme që kërkesa të bjerë.”

Ai mendon se për sa kohë të vazhdojë recesioni global, kërkesa për naftë do të vazhdojë të bjerë.

“Ky është thjesht një parashikim, por me sa shohim deri tani, kërkesa për naftë në vitin 2009 do të jetë shumë më pak se në 2008-ën.”

OPEK-u ka marrë masa për ngritjen e çmimeve nga 30 dollarë për fuçi, duke reduktuar prodhimin me 4,2 milion fuçi në ditë që në shtator të vitit të kaluar. Arabia Saudite thotë se zbatimi i këtyre reduktimeve mund të ndihmojë.

Por disa anëtarë të organizatës, duke përfshirë Ministrin algjerian të Naftës dhe ish presidentin e OPEK-ur Çakib Kelil, po bëjnë thirrje për reduktime të mëtejshme për të nxitur rritjen e çmimeve.

Analisti për energjinë Xhon Holl paralajmëron se një veprim i tillë do të ishte gabim.

“Politikisht, kjo do të ishte lëvizje e gabuar për OPEK-un që të nxisë recesionin duke rritur edhe më shumë çmimet e naftës, veçanërisht në këtë kohë.”

Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, e cila këshillon thuajse 30 vende mbi çështjet energjitike pajtohen. Sekretari amerikan i energjisë Stiven Çu paralajmëroi se një rritje e çmimeve të naftës do ta vështirësonte shumë ekonominë globale.

Por anëtarët e OPEK-ut shqetësohen për ekonomitë e tyre, shumë prej të cilave varen nga shitja e naftës me një çmim prej 70 dollarë për fuçi për të mbijetuar. //bsa//

XS
SM
MD
LG