Lidhje

G-20: Do të ndërrmarrim të gjitha masat e nevojshme


Ministrat e Financave dhe drejtuesit e bankave Qendrore nga grupi 20 vendeve më të industrializuara dhe ekonomive në zhvillim ranë dakord për të “ndërrmarrë çfardo mase që të jetë e nevojshme” për të rimëkëmbur ekonominë e botës e cila gjendet në një recesion global në rritje. Premtimi vjen para takimit të G-20-ës i cili do të mbahet me 2 prill në Londër. Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Sonja Pejs, njofton nga kryeqyteti britanik.

Ministri britanik i Financave, Alistair Darling tha se takimi i cili zgjati një ditë e gjysëm në periferi të Londrës, rezultoi në një marrëveshje të plotë mbi nevojën për përpjekjet e vazhdueshme për të rimëkëmbur zhvillimin global.

“Më e rëndësishmja është se ne u zotuam se jemi të gatshëm për të ndërrmarrë çfardo veprimi që është i nevojshëm për të siguruar rimëkëmbjen e zhvillimit, dhe se ne jemi të gatshëm për të ndërrmarrë këto veprime për aq kohë sa të jetë e nevojshme,”-tha ai.

Zoti Darling tha se prioritetet përfshijnë: rimëkëmbjen e kredive nga bankat përmes hedhjes së parave në tregje, krijimin e rregullave më të rrepta për financat, dhe luftimin e politikave proteksioniste duke përkrahur tregëtinë dhe mundësitë e investimeve.

Udhëheqësit e G-20-ës po ashtu kanë premtuar rritje fondesh për Fondin Monetar Ndërkombëtar për të ndihmuar ato vende të cilat janë goditur më tepër nga recesioni.

“Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për të ndihmuar ekonomitë në rritje dhe ato në zhvillim që të përballojnë kthimin prapa rrjedhës së kapitalit ndërkombëtar, i cili ka shkaktuar një shqetësim të madh jo vetëm për ato ekonomi por edhe për ne,”- tha ai.

FMN-ja ka ofruar kredi në vlerë prej miliarda dollarësh për ekonominë në vështirësi. Ministrat po ashtu bën thirrje për rritjen e përkrahjes për Bankën e Azisë për Zhvillim.

Sekretari i Thesarit, Timothi Gajtner tha se përkushtimi i treguar nga anëtarët e G-20-ës siguron se rimëkëmbja ekonomike do të arrihet më shpejtë.

“Ne kemi një konsensus të gjerë global tani rreth nevojës për të vepruar në mënyrë agresive për të rimëkëmbur zhvillimin ekonomik, dhe një përkushtim të përbashkët i cili është i nevojshëm për të adresuar krizën e tanishme,”- tha zoti Gajtner.

Zoti Gajtner tha se marrëveshja u arrit për planin e reformave të sistemit financiar ndërkombëtar.

“Rreziku nuk njeh kufij kombëtar. Ne kemi nevojë për të përpiluar një mënyrë më të rreptë kontrollimi dhe rregulla të qarta të veprimit të cilat zbatohen në mënyrë më të barabartë përgjatë sistemit financiar ndërkombëtar,”- tha ai.

Zoti Gajtner tha se Shtetet e Bashkuara së shpejti do të publikojnë detajet e reformimit të rregullave për tregjet e tyre.

Pjesëmarrësit në takimin e financave të grupit G-20 synonin për të arritur një konsensus, duke përmendur shumë pak dallimet që ekzistojnë mes disa prej anëtarëve të saj.

Kryesisht, pozitat e pjesëmarrësve kanë qenë në se ata ndjekin rrugën e Shteteve të Bashkuara duke nxitur shpenzimet përmes injektimit të fondeve qeveritare në ekonomitë në vështirësi, apo të përqendrohen në zbatimin e rregullave më të rrepta për bankat dhe institucionet e tjera financiare në mënyrë që të parandalojnë një rënie të ngjashme ekonomike në të ardhmen.

Shtetet e Bashkuara, në veçanti, po bëjnë thirrje për një plan të bashkërenduar për stimulimin e ekonomisë dhe shkurtimin e taksave. Britania po ashtu përkrah shpenzimet publike, por ajo bie dakord me shumë nga anëtarët europianë, të cilët kërkojnë një ndryshim më të plotë të sistemit financiar i cili do të përfshinte rregulla më të rrepta për bankat. Vendet në zhvillim thonë se në se ata do të kontribonin atëherë ata do të dëshironin të kishin një përfshirje më të madhe në institucionet ndërkombëtare të financave, siç është FMN-ja.//ap

XS
SM
MD
LG