Lidhje

OPEK-u do të ruajë nivelet e prodhimit të naftës


Ministrat e naftës të OPEK-ut thanë se do të ruajnë nivelet e tanishme të prodhimit deri në fund të muajit maj por do të përpiqen të mos lejojnë disa vende anëtare të prodhojnë naftë mbi kuotat.

Vendimi i arritur sot në Vjenë, nënkupton se nuk do të ketë shkurtime të prodhimit të naftës sipas kuotave të vendosura në muajin dhjetor. Karteli prej 12 vendesh do të takohet përsëri më 28 maj për të rishikuar kuotat.

11 vende anëtare të OPEK-ut aktualisht po prodhojnë rreth 800 mijë fuçi më shumë në ditë se sa kuota ditore që është 25 milion.

Po sot, Rusia njoftoi plane për shkurtimin e eksporteve të naftës dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve prodhuese të naftës të pakësojnë prodhimin si pjesë e këtyre planeve.

Zëvendëskryeministri rus, Igor Seçin tha se vëllimi i këtyre shkurtimeve do të përcaktohej nga gjendja e tregut.

Rusia është vendi më i madh prodhues i naftës që nuk bën pjesë në OPEK dhe vjen e dyta në botë pas eksportueses kryesore të naftës, Arabisë Saudite.

Shumica e 12 vendeve anëtare të OPEK-ut kishin shprehur mbështetje për pakësimin e prodhimit si mjet për ngritjen e çmimit të naftës, i cili në dhjetor arriti pikën më të ulët prej 32.4 dollarë për fuçi. //ii

XS
SM
MD
LG